
Institucioni
i Ekzekutimit të Vendimit Penal Vaqarr
Historiku
Në periferi të qytetit të Tiranës në anën jug-perëndimore të saj ndodhet
komuna Vaqarr. Në këtë komunë ndodhet Institucioni i Ekzekutimeve të Vendimeve
Penale Vaqarr. Ambientet në të cilat funksionon aktualisht IEVP Vaqarr kanë
shërbyer si repart ushtarak nën varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas nën
varësi të Ministrisë së Rendit Publik. Ky institucion njihej me emrin burgu 327
Vaqarr.
Në vitin 1996 këto ambiente kaluan në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë vitit 1998 ambientet u përshtatën si institucion të vuajtjes së dënimit.
Punimet përfunduan në prill të vitit 1999. Në maj të këtij viti u transferuan të
dënuarit e parë, një numër i reduktuar prej 25 vetash. Gjatë viteve në vazhdim,
vazhdoi transferimi i të dënuarve sipas parimit rajonal.
Për të krijuar kushte sa më normale për personat me liri të kufizuar, janë
bërë një sërë investimesh ndër të cilat mund të përmendën, fushat e ajrosjes, fushën
e futbollit, basketbollit, këndi sportiv, ngritja e ofiçinës ku janë punësuar
një numër i konsiderueshëm të dënuarish, furrën e bukës, serë për kultivimin e
luleve dhe pemëve, shkolla e trajnimit për stafin policor etj…
Në vitin 2004 institucioni merr emrin zyrtar Institucioni i Ekzekutimeve të
Vendimeve Penale Vaqarr. Ky institucion u kategorizua siguri e zakonshme me një
seksion për të miturit. Kapacitetet maksimale të ofruara janë për 146 persona.
Drejtuesi aktual i IEVP Vaqarr është z. Pëllumb Gjuta.
Adresa dhe Numrat e Kontaktit
Adresa: Vaqarr, Tiranë
Numër kontakti: 042301035
Orari i Vizitave
Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të shtunë ora 08:00
–14:30. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.
Aktivitetet
Në shtator të vitit 2000 në këtë institucion është hapur shkolla 9-vjeçare
për të dënuarit, e cila vazhdon edhe në ditët e sotme. Deri në vitin akademik
2007-2008 janë pajisur 32 të dënuar me dëftesë lirimi dhe 7 të dënuar kanë
përfunduar ciklin e ulët.
Në programin e aktiviteteve që drejtoria e IEVP Vaqarr realizon, bashkërendon
punën edhe me organizata jo fitimprurëse si me Kliniken Ligjore për të Miturit,
CRCA, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Kristiane për të Dënuarit në Shqipëri,
Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve, përfaqësues të shërbesave fetare katolike dhe
myslimane. Gjithashtu, organizohen aktivitete të ndryshme sportive e kulturore
si dhe ofrohen programe edukative si shërbimi për librin, kurse informatike,
gjuhë të huaj etj.
Shërbimet që Ofrohen
Shërbimet
kryesore që ofrohen për të dënuarit në IEVP Vaqarr janë: shërbim shëndetësor
dhe stomatologjik 24 orësh, kujdes social, këshillime psikologjike, asistencë ligjore,
etj.