Projekti Spanjoll
Projekt Pilot
“Mbështetje
për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të
mundësojnë ri-integrimin e të dënuarve me heqje lirie”.
Zbatues
teknik i këtij projekti është Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim
Ndërkombëtar (AEC), për zonën e Mesdheut dhe të Evropës Qendrore.
Qëllimi i Projektit
Qëllimi
i këtij projekti është ardhja në ndihmë e Stafeve të Shërbimit të
Kujdesit Social dhe atij Juridik, nëpërmjet asistencës së specializuar
të ekspertëve spanjoll z. Julio Fernandez Garcia, ekspert në fushën e
së Drejtës Penale dhe Kriminologjisë, si dhe ekspertëve në fushën e
Psikologjisë për Sistemin e Vuajtjes së Dënimit.
Objektivat
- Krijimi
i bazave për ngritjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të një
programi aktivitetesh për sistemin e qendrave të kryerjes së dënimit,
si për të burgosurit që vuajnë dënimin ashtu dhe për ata që gjenden në
paraburgim.
- Forcimi i
mekanizmave që bëjnë të mundur rikthimin në gjirin e shoqërisë të
dënuarve/dënuarave me heqje lirie nëpërmjet përpunimit të një Programi
të Individualizuar Trajtimi (PIT) për ata ose ato që vuajnë dënimin dhe
të një Modeli të Individualizuar Intervenimi (MII) për të
paraburgosurit në dy qendra të vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
- Implementimi
i një programi pilot me kurse formimi profesional në dy qendrat e
vuajtjes së dënimit ku do të realizohen programi PIT dhe modeli MII.
- Implementimi
i një programi aktivitetesh terapeutike në dy qendrat e vuajtjes së
dënimit ku do të realizohen programi PIT dhe modeli MII. Me këto dy
aktivitete, do të ndikohet në trajtimin si një komponent i përshtatjes
në shoqëri.
Një
ndër objektivat afatgjatë është koordinimi i punës për arritjen e një
marrëveshjeje me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale për
monitorimin e këtij projekti dhe implementimin i tij në të gjithë
sistemin penitenciar shqiptar.
Grupi i Synuar
Ky
është një projekt pilot dhe si i tillë do të shtrihet në dy
institucione penitenciare atë të Fushë-Krujës dhe Vlorës. Grupi i
synuar për të përfituar nga ky projekt do të jenë të paraburgosur/të
dënuar që vuajnë në këto institucione të cilët do të përfitojnë nga
organizimi i aktiviteteve social-edukuese dhe profesionale.
Totali
i të dënuarve/të paraburgosurve që do të përfitojnë nga kurset do të
jetë respektivisht 90 për Fushë-Krujën dhe 60 për Vlorën.
Një grup
tjetër i synuar janë edhe stafet e kujdesit social dhe atij juridik për
të rritur aftësitë e tyre profesionale në kuadër të respektimit të
drejtave të personave me liri të kufizuar bazuar në konventat
ndërkombëtare.
Zbatimi i Projektit
Ekspertët
kanë filluar punën me përpilimin e Programeve të Individualizuara të
Trajtimit, si raportet psiko-sociale individuale, raportet e ndërhyrjes
terapeutike, si dhe asistencë teknike për caktimin e grupeve (të
paraburgosurve/dënuarve) që do jenë pjesë e aktiviteteve kulturore,
sportive, punëve krijuese apo edhe pjesëmarrësve në kurset e formimit
profesional.
Zbatimi në terren i projektit pilot filloi me:
Vizitat në dy Institucionet e përzgjedhura për këtë projekt pilot në IEVP Fushë-Krujë dhe Vlorë ku ekspertët:
- U
njohën me infrastrukturën dhe evidentuan ambientet të cilat do të
përshtaten në funksion të aktiviteteve që do të organizohen;
- Diskutuan
mbi mundësitë reale të lidhura me infrastrukturën ekzistuese në çdo
institucion për realizimin e aktiviteteve të ndryshme me kategori të
caktuara të personave me liri te kufizuar.
- I lanë detyrë stafeve të edukimit për përcaktimin e grupeve dhe listimin e aktiviteteve që janë të mundura për t’u realizuar.
Pjesë
e rëndësishme e projektit është edhe nisma për trajnimin e stafit të
Sektorit Social dhe atij Juridik, nismë që synohet të shtrihet në të
gjitha institucionet penitenciare. Për të realizuar këtë objektiv në
fillim të nëntorit filluan organizimet e seminareve trajnuese në të
cilat u trajtuan temat si:
- Respektimi i të Drejtave të Njeriut në institucionet e vuajtjes së dënimit
- Trajtimi i të dënuarve konform standardeve të ndërkombëtarizuara
- Qasja e sistemit spanjoll të burgjeve me atë shqiptar
- Sistemi i vuajtjes së dënimit. Linja drejtuese dhe parime të përgjithshme të zbatimit të vuajtjes së dënimit
- Menaxhimi dhe drejtimi i sistemit të vuajtjes së dënimit
- Trajtimi si e drejtë themelore për ri-përfshirjen sociale
- Kontrolli i veprimtarisë së vuajtjes së dënimit
- Raportet
Profesionale të Vlerësimit (RPV) dhe Programet Individuale të Trajtimit
(PIT) dhe ato të Ndërhyrjes (PIN) Përmbajtja dhe zhvillimi i Raporteve
Profesionale ( juridike, psikologjike, sociale, të sjelljes). Zbatimi
praktik i raporteve
- Përmbajtja dhe zhvillimi i programeve të ndryshme terapeutike, që zhvillohen në mjedisin e vuajtjes së dënimit.
Pas përfundimit të fazës së seminareve, pjesëmarrësve iu lanë disa detyra afatshkurtra që duhet të përmbushnin:
- Përpilimi i një programi, që do të përmbledhë datat si dhe IEVP ku do të zhvillohen vizitat
- Përcaktimi
i temave që do të trajtohen, specialistëve dhe ambienteve ku do të
zhvillohen seminaret trajnuese të stafit social dhe atij juridik në
IEVP të ndryshme
- Kontakte me
Qendrën e Formimit Profesional me objekt marrjen e një informacioni të
detajuar mbi kurset profesionale që do të ofrohen në kuadrin e
projektit pilot. Ky informacion është i nevojshëm për realizimin e një
studimi të nevojave të tregut shqiptar të punës dhe profesioneve (me
synim përcaktimin e kurseve të formimit profesional), asistencë
profesionale për realizimin e kurseve, mundësinë për njohjen e
kurseve, brenda Arsimit Profesional si dhe specifikimi i materialeve
apo pajisjeve që do të nevojiten për kurset profesionale që do të
realizohen.
Objektivat e Arritur
- Realizimi
i asistencës teknike për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për
përkufizimin dhe përshkrimin e aktiviteteve të ndryshme dhe grupet e
veprimit (të burgosurit) dhe përcaktimi i aktiviteteve që do të
organizohen si dhe hapësirat fizike.
- Përcaktimi i kurseve formuese dhe profesionale që do zhvillohen
Fushë-Krujë Vlorë
Kompjuter Kompjuter
Gjuhë e huaj (anglisht) Mekanik-saldator
Zdrukthëtari Hidraulik
Hidraulik Luleshtari
Mekanik-xhenerik
Luleshtari
- Bashkëpunimi
me Ministrinë e Punës dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimimit dhe
Formimit Profesional për njohjen e kurseve brenda Arsimit Profesional
Shtetëror si dhe përcaktimin e programeve të mësimdhënies në kurset e
formimit në qendrat e përzgjedhura. Tashmë janë konfirmuar monitoruesit
e kurseve profesionale si dhe kurrikulat mësimore.
- Paraqitja e programit të aktiviteteve para personelit drejtues të qendrave të vuajtjes së dënimit.
- Hartimi i listave të vlerësimit të nevojave për aktivitetet dhe kurset profesionale.
- Realizimi i 14 sesioneve trajnimi ku u trajnuan 136 persona nga Sektori Social dhe 20 nga Sektori Juridik.