Në bazë të ligjit Nr. 8678 datë 14.05.2001"Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë” i ndryshuar me ligjin Nr. 9112 datë 24.07.2003, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (sistemi i burgjeve) është një institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Në bazë të ligjit Nr. 9000 datë 30.01.2003"Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me Vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet numri i punonjësve për çdo institucion për vitin kalendarik përkatës.
Po në bazë të aktit ligjor të mësipërm, numri i punonjësve të miratuar me VKM-në përkatës (duke folur konkretisht për sistemin e burgjeve i përfaqësuar në siglën D. P. Burgjeve) ndahet në numër punonjësish në institucionet në varësi, duke përgatitur struktura të detajuara me funksionet përkatëse për çdo institucion. Këto struktura miratohen me Urdhra të veçantë të Kryeministrit, në bazë të propozimeve përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe përcillen në Këshillin e Ministrave nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.
Në
bazë të Rregullores së Brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të
Burgjeve miratuar me Urdhër Nr. 5561/3 datë 05.07.2006 të Ministrit të
Drejtësisë, ky burim njerëzor administrohet (emërimi, lëvizja, masa
disiplinore, lirimi dhe largimi nga detyra) nëpërmjet aktit
administrativ"Urdhër” i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve .
Ky akt administrativ, del në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore,
të cilat rregullojnë statusin e kategorisë përkatëse të punonjësit të
sistemit të burgjeve.
Sistemi i Burgjeve menaxhon tre kategori punonjësish:
1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve struktura policore (specialistë policie dhe punonjës të rolit bazë)
2. Nëpunës civil niveli specialist dhe drejtues (në D. P. Burgjeve dhe institucione në varësi)
3. Punonjësit civil struktura mbështetëse, niveli i mesëm (në D. P. Burgjeve dhe institucione në varësi)
Akti ligjor bazë, i cili rregullon statusin ligjor të gjitha kategorive të burimeve njerëzore të sistemit të burgjeve është ligji Nr. 8321 datë 02.04.1998,"Për Policinë e Burgjeve”, ndryshuar me ligjin Nr. 8757 datë 26.03.2001, ndryshuar me ligjin Nr. 9375 datë 21.04.2005.
Duke filluar me kategorinë e parë:
Punonjësit e Policisë së Burgjeve
Kjo kategori punonjësish, në zbatim të ligjit "Për Policinë e Burgjeve”, i cili në lidhje me kriteret, funksionet, të drejtat, detyrat dhe karrierën e tyre i referohet zbatimit të ligjit Nr. 8553 datë 25.11.1999"Për Policinë e Shtetit” dhe ligjit Nr. 8643 datë 20.07.2000 “Për gradat në Policinë e Shtetit”, ndahet në:
* specialistë të policisë së burgjeve
* punonjës të rolit bazë
Specialistet
e policisë së burgjeve kryejnë detyra të roleve të mesme, të larta dhe
madhore. Funksioni i tyre duhet të përputhet me gradën që ata fitojnë.
Grada fitohet sipas arsimit, vjetërsisë në shërbim, kualifikimit
profesional dhe karrierës në strukturat e policisë. Kriteret arsimore,
janë shkollat e larta policore, ushtarake ose shkolla të tjera të larta
të barasvlershme me to.
Punonjësit e rolit bazë, kryejnë detyra të
karakterit ekzekutiv dhe me iniciativa të kufizuar, në përputhje me
kërkesat e akteve ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë detyrat e
institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale. Edhe kjo pjesë e
punonjësve të policisë së burgjeve, fitojnë gradat e rolit bazë, të
cilat fitohen, sipas arsimit, vjetërsisë në shërbim, kualifikimit
profesional dhe karrierës në strukturat e policisë. Kriter arsimor
është mbarimi i arsimit të mesëm dhe veçues janë kualifikimet e
ndryshme në fushën penitenciare, policore etj.
Mënyra e emërtimit të gradave bën edhe dallimin midis specialisteve dhe punonjësve të rolit bazë.
Emërimi
i tyre në funksionet vakante, të sistemit të burgjeve bëhet në bazë të
neneve 13 dhe 14 të ligjit"Për Policinë e Burgjeve” dhe kriteret baze
për funksione të ndryshme të përcaktuara në Urdhrin Nr. 4117 datë
20.07.2001 të Ministrit të Drejtësisë”,"Për disiplinimin e funksioneve
organike në D. P. Burgjeve, Burgje dhe Institucione Riedukimi, për
përcaktimin e kritereve arsimore dhe eksperiencës për emërimet në
detyrë dhe për kompetencat e titullarëve”.
Në bazë të këtyre
akteve ligjore dhe nënligjore, D. P. Burgjeve ka përgatitur "Formularë
standard" për specialistë dhe punonjësit e rolit bazë, mbi
dokumentacionin që duhet të paraqesë një shtetas që kërkon të emërohet
si specialist i policisë së burgjeve ose punonjës i rolit bazë.
Plotësimi i kërkesave të këtij formulari përbën bazën e formimit të
“dosjes personale të specialistit të policisë ose punonjësit të rolit
bazë”
Brenda sistemit të burgjeve, gradës dhe rezultateve të punës gjatë
karrierës, kjo kategori punonjësish, duhet t’i përgjigjet kryerjes së
detyrës në funksione paralele ose me ngritje në detyrë.
Për kategorinë e dytë
Nëpunës Civil
Nëpunësit
civil të nivelit specialist dhe drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme
të Burgjeve, statusi ligjor i të cilëve, përcaktohet në bazë të nenit
20 të ligjit"Për Policinë e Burgjeve” dhe ligjit Nr. 8549 datë
11.11.1999"Statusi i nëpunësit civil” dhe akteve nënligjore në zbatim
të tij.
Kriteret që duhet të plotësoj një shtetas për t’u emëruar
në pozicionet vakante janë ato të përgjithshme dhe të veçanta. Këto të
fundit përcaktohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bazë të
një përshkrimi të vendit të punës dhe detyrave që duhet të kryej
nëpunësi. Administrimi i shërbimit civil të D. P. Burgjeve (shpallja në
shtyp e vendit vakant, zhvillimi i procedurave të konkurimit,
përzgjedhja, emërimi, lëvizja në detyra paralele ose me ngritje në
detyrë, masat disiplinore dhe largimi nga shërbimi civil i D. P.
Burgjeve) bëhet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore Financës dhe
Shërbimeve e këtij institucioni, duke ndjekur procedurat standarde.
Nëpunësit
civil të nivelit specialist dhe drejtues në institucionet në varësi,
statusi ligjor i të cilëve përcaktohet në bazë të ligjit Nr. 7161 datë
12.07.1995"Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me
ligjin Nr. 8085 datë 13.03.1996, ndryshuar me ligjin Nr. 9125 datë
29.07.2003 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Edhe për këtë pjesë të nëpunësve civil është përgatitur një"Formular standard”.
Për kategorinë e tretë
Punonjës civil- Struktura Mbështetëse
Kjo kategori punonjësish kryen funksione mbështetëse (infermier, ndihmës mjek, magazinier, shofer, sekretar, kartelist etj) në shërbim të administratës të sistemit të burgjeve dhe të dënuarve apo të paraburgosurve, jeta e të cilëve administrohet në institucionet tona .
Statusi i tyre ligjor përcaktohet në bazë të ligjit Nr. 7161 datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin Nr. 8085 datë 13.03.1996, ndryshuar me ligjin Nr. 9125 datë 29.07.2003 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.