Historiku


Në vitin 1997 me mbështetjen e Këshillit të Evropës u ngrit Qendra e Trajnimit Profesional të punonjësve të burgjeve. Pas miratimit te Ligjit nr 8321 date 2 prill 1998, Qendra u emërtua Shkolla e Policisë së Burgjeve, brenda strukturës organike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ndryshimi në emërtim, nuk kishte të bënte me ndryshime në strukturën, programet dhe veprimtarinë e Qendrës së Trajnimit.

 

Shkolla e Policisë së Burgjeve, me një staf prej 7 punonjës, (4 specialiste me uniformë, një civil dhe 2 punonjës të shërbimeve mbështetëse) ka realizuar trajnimin e punonjësve të rinj në sistemin e burgjeve me një program dy javor. Në vitin 2005 me ndryshimet në organikën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, stafi i Qendrës së trajnimit u ndryshua, duke u emëruar specialistë civil. Në vitin 2007 Qendra e Trajnimit kthehet në Sektor të Trajnimeve brenda strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me një staf prej 4 specialistë.

 

Hapja e burgjeve dhe paraburgimeve të reja diktoi kërkesa të mëdha për trajnimin e punonjësve të cilët do të rekrutoheshin për të punuar në shërbimin e burgjeve. Për përmirësimin e procedurave të rekrutimit dhe të trajnimit të punonjësve në shërbimin e burgjeve, Ministria e Drejtësisë ngriti komisione të posaçme për të gjitha institucionet e reja. Kjo praktikë ka pasur ndikim pozitiv, në përzgjedhjen e kandidatëve  nëpërmjet intervistave dhe më pas në trajnimin e tyre dy javor.

 

Gjatë vitit 2008 është ndërmarrë një reformë e thellë për përmirësimin e sistemit të trajnimit të punonjësve të shërbimit të burgjeve. Në suksesin e kësaj reforme ka ndihmuar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet zbatimit të projektit"Drejtimi Human i Burgjeve”, të financuar dhe mbështetur nga Komisioni Evropian.

 

Reformimi i Qendrës së Trajnimit ka kaluar një proces të gjatë kërkimesh dhe  diskutime me grupe të interesit, specialistë të sistemit të burgjeve dhe paraburgimeve dhe jashtë sistemit. Aktiviteti për reformimin e Qendrës së Trajnimeve deri në këtë fazë, ka ecur sipas Planit të Veprimit  dy vjeçar dhe është finalizuar me këto rezultate:

 
  • Është hartuar Rregullorja e Qendrës së Trajnimit
  • Është hartuar Plani i Veprimit dy vjeçar me objektivat konkrete prioritetet dhe treguesit e suksesit.
  • Është hartuar Programi vjetor për vitin 2009
  • Është hartuar dhe miratuar Programi i Trajnimit për Formimin Bazë të punonjësve të Shërbimit të Burgjeve me 242 orë , i shtrirë në 45 ditë teori dhe 3 muaj praktikë. Këto akte u janë  vënë në dispozicion të gjithë IEVP, Drejtorive ne Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Organizatave Joqeveritare, të cilat kanë vepruar në sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve të vendit.
  • Ka përfunduar Manuali për Trajnimin Bazë të Punonjësve të shërbimit të burgjeve,i cili është në proces botimi. Manuali do të jetë i pari në llojin e tij që botohet në vendin tonë dhe do të ketë ndikim të drejtë për drejtë në rritjen e cilësisë së  trajnimeve dhe përmirësimin e shërbimit, sipas standardeve.
  • Gjatë vitit 2009 ka filluar zbatimi i programit të ri 45 ditor. Janë zhvilluar trajnime në IEVP Korçë, Vlorë dhe Durrës, me program të plotë. Janë zhvilluar trajnime me program të reduktuar për një afat një javor në shumicën e IEVP.
  • Qendra e Trajnimit është duke zhvilluar trajnime specifike për aspekte të veçanta, si"Parandalimi i vetëvrasjeve në burgje dhe paraburgime”, në të gjitha IEVP, me program një ditor në çdo institucion.
 

Gjatë vitit në vazhdim Qendra e Trajnimit do të vazhdoj trajnimet sipas programit vjetor. Krahas kësaj do të punojë për hartimin e programit për trajnimin e specialistëve të nivelit të mesëm menaxhues dhe për përgatitjen e modulit të intervistimit.



Foto Galeria

Kerko te denuarit politik