Evoluimi i burgjeve
Historia e burgjeve është pjesë përbërëse e historisë së një kombi në tërësi. Burgjet janë një realitet që i përkasin çdo vendi, pavarësisht nga niveli ekonomik apo zhvillimi social-politik i tij.
Gjatë
periudhës komuniste, si gjithçka, çdo gjë ishte e politizuar dhe çdo
informacion në lidhje me burgjet nuk jepej, bile as institucioneve
evropiane që merreshin me studime në këtë fushë. Studimet në këtë fushë
janë të një rëndësie të veçantë sepse kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e
shoqërisë, me marrëdhëniet midis njerëzve dhe reduktimin e konflikteve.
Ato orientojnë strukturat e shtetit për t’u dhënë zgjidhje të drejtë
problemeve duke u mbështetur në ligje sa më të arsyeshme.
Para shekullit të XX-të, në vendin tonë burgimi ka qenë vetëm një nga
format e ndëshkimeve dhe mund të themi jo kryesorja. Dihet se në vendin
tonë krahas të drejtës penale zyrtare romake, bizantine, osmane, ilire
dhe shqiptare ka ekzistuar e drejta zakonore ilire e cila nuk
parashikonte dënimin me burgim. Format kryesore që parashikoheshin në
të drejtën zakonore shqiptar mbi ndëshkimet ishin: Të gjykuarit me
vdekje, nxjerrja nga krahina, djegia e shtëpisë, lënia e tokës djerrë,
prerja e pemëve, gjoba në para, etj. Edhe në periudhën e Skënderbeut e
pashallarëve, ndonëse u përdor burgimi në sistemin e dënimeve, mund të
themi se burgimi mbetej një dënim dytësor, në raport me llojet e tjera
të dënimeve, sidomos dënimin me vdekje.
Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar ngritja e institucioneve
shtetërore e në këtë kuadër të burgjeve për mbajtjen e rendit u
konsiderua detyrë parësore për patriotët, politikanët e intelektualët.
Në mënyrë graduale u krijua kuadri i plotë ligjor që rregullon dhe
administron burgjet. Filloi ngritja e godinave me një arkitekturë të
përshtatshme që përmbushte kushtet e sigurisë si dhe ato
higjeno-sanitare.
Burgjet përbëjnë një mozaik mjaft të larmishëm që karakterizohet nga
një diversitet i paparë formash të organizimit, administrimit, godinash
dhe kushteve të vuajtjes së dënimit, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë
të pandërprerë në kohë dhe hapësirë.
Periudha gjatë viteve 1912-1944
Periudha nga viti 1912 deri më1944, në të vërtetë përfshin vetëm tre
dekada, pra një kohë jo shumë të gjatë në historinë mijëravjeçare të
popullit tonë. Por nga dinamika dhe ngjarjet e mëdha që ajo përfshin,
kujtojmë këtu shpalljen e pavarësisë si kurorëzim final i luftës pesë
shekullore të popullit tonë. Luftën e Parë Botërore, luftën politike
për demokratizimin, vendosjen e regjimit të Zogut si dhe Luftën
Antifashiste Çlirimtare. Të gjitha këto të marra së bashku, bëjnë që
kjo periudhë të konsiderohet si më e rëndësishmja në historinë e vendit
tonë, pa nënvlerësuar aspak periudhat e tjera të mëparshme apo të
mëvonshme.
Në këto kushte ku sundoi kaosi e anarkia si rezultat i faktorit të
brendshëm dhe të jashtëm, nuk pati terren të përshtatshëm që të
zhvillohej normalisht shteti me të gjitha institucionet e tjera
përbërëse.
Shqipëria nga sundimi i gjatë otoman trashëgoi një sistem të ashpër
burgjesh, të cilët në pjesën më të madhe të tyre kishin shërbyer për
izolimin dhe ndëshkimin e patriotëve dhe udhëheqësve të lëvizjes sonë
kombëtare. Në çdo qendër sanxhaku e kazaje kishte burgje për të ndaluar
dhe të arrestuar të kapaciteteve të ndryshme.
Me gjithë përpjekjet për reformimin e institucioneve të burgjeve që u
bënë pas shkëputjes nga sundimi turk si dhe tërë legjislacioni në
përgjithësi, trashëgimia ligjore osmane, format dhe metodat e drejtimit
ruajtën deri pas vendosjes së regjimit të Zogut me ndonjë ndryshim të
vogël.
Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe misioni Holandez që u vendos në
Shqipëri pas shpalljes së pavarësisë i kushtoi vëmendje në kuadrin e
reformimit total të institucioneve edhe organizimit të burgjeve dhe
trajtimit të burgosurve.
Për organizimin e administratës së shtetit mbi baza moderne, qeveria në
vitin 1923, hartoi projektligjin mbi"Organizatorët e huaj në
Shqipëri”, të cilët do të vendoseshin në Kryeministri dhe në të gjitha
ministritë. Pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme u vendos kolonel
Stirling, i cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në reformimin dhe
organizimin bashkëkohor të burgjeve në Shqipëri. Për zgjidhjen e mjaft
problemeve, Striling propozoi: 1. Ndërtimin e një burgu qendror për
veriun e një për jugun për ruajtjen e gjithë të burgosurve të dënuar,
të cilëve duhej t’u jepej një sasi ushqimi. 2. Shpejtimi i mekanizmit
gjykues. 3. Hartimi i ngutshëm i një ligji për mbrojtjen e të drejtave
të nënshtetasve.
Në kuadrin e plotësimit të gjitha akteve ligjore mbi të burgosurit,
Këshilli i Naltë më 31.01.1923 nxori ligjin"Për përdorimin e të
burgosurve në punë”. Ligji përcaktonte 7 orë punë në ditë dhe ditët e
pushimit do të ishin sipas administratës.
Duke marrë shkas nga dy ngjarje në burgun e Kavajës ku një i burgosur
ishte vetëvrarë dhe një tjetër kishte prerë damarët e duarve me brisk,
u hartua një program ku parashikoheshin në mënyrë të rreptë detyrat e
rojeve të jashtme dhe të brendshme, mënyra e kontrollit të godinës dhe
e burgosurve, të ushqimeve që u vijnë të burgosurve, takimet, etj.
Për të rritur shkallën e sigurisë dhe për t’u dhënë zgjidhje sa më të
shpejtë problemeve, në shkurt të vitit 1924 u krijua dega e policisë së
burgjeve.
Pas shpalljes së Shqipërisë Republikë, u bë një hap i madh në
organizimin e institucioneve shtetërore e në këtë kuadër edhe atë të
burgjeve. Ajo që është e rëndësishme është zgjedhja e eksperiencave të
cilat do të ishin nga shtete me demokraci të zhvilluar, duke iu
përshtatur kushteve të vendit tonë. U bë organizimi i Drejtësisë,
organizimi i gjykatave, kompetencat e gjykatës Paqtuese, Fillimore, të
Diktimit dhe u bë organizimi i Avokatisë. Në këtë mënyrë, po shtrohej
rruga për reformimin e sistemit penitenciar.
Më dt. 09. 11.1931, Ministria e Jashtme i paraqet për studim Ministrisë
së Drejtësisë tekstin"Përmbledhje e rregullave mbi trajtimin e të
burgosurve”, e dërguar nga Lidhja e Kombeve të gjitha shteteve anëtare
ose jo. Në këto kushte u hartua rregullorja e re e burgjeve në gusht të
vitit 1933. kjo rregullore kishte 12 kapituj dhe 100 nene.
Periudha pas çlirimit
Në organizimin e institucioneve shtetërore pas çlirimit nuk u morën
parasysh shumë akte ligjore. Organizimi i ri i burgjeve në dhjetor të
1994, i vuri ato në varësi të Divizionit të Popullit dhe në maj të
1945, e cila konsiderohej dhe si dita e Policisë Popullore, i vuri ato
në varësi të saj. Pra, ishin të njëjtat organe që survejonin, ndalonin,
arrestonin dhe hetonin. Shteti komunist i përdori burgjet si elementë
për të zhdukur kundërshtarët e tij. Në fillim kontingjenti i vetëm i
burgjeve ishin ata politik, pa përmendur numrin e madh të pushkatuarve
ose pa gjyq.
Gjithë punonjësit e vjetër që kishin punuar në burgje jo vetëm u hoqën
nga puna, por një pjesë e tyre edhe u burgosën, shumica e të cilëve
ishin intelektualë. Kjo solli mungesa të mëdha në bazën intelektuale,
gjë që detyroi institucionet e shtetit të drejtoheshin nga
ish-partizanë.
Organika në përgjithësi për çdo burg ishte: komandant, komisar, oficer,
komandant për shërbimet në burg dhe stërvitje, 1 mjek, 1 infermier, një
togë ushtarësh për rrethimin e jashtëm dhe një togë policësh për
rrethimin e brendshëm.
Asnjë nuk ishte në gjendje të përshkruante mizerjen e vërtetë që
ekzistonte në atë kohë në burgje. Ushqimi i të burgosurve, deri në
vitin 1950, ishte buka e misrit e pashoqëruar me gjellë. Në trajtimin
ekonomik e shëndetësor të burgosurve ndikonte edhe politika sociale që
bënte shteti në atë periudhë, ku i konsideronte të burgosurit, armiq.
Në mars të vitit 1950, u mor vendimi që të burgosurve përveç supës t’u
jepej edhe bukë. Uria shpesh i nxiste të burgosurit në vjedhje dhe
grindje. Në bazë të rregullores së burgjeve të dënuarve që vuanin në
burgje të mbyllura u lejohej të merrnin 2 kg ushqime në muaj nga
familjet. Në këtë normë ishte llogaritur edhe qymyri për ngrohje dhe
për gatim.
Sipas rregullores së vitit 1965, ndarja e të burgosurve do të ishte kjo:
Reformimi demokratik i burgjeve pas viteve 1990-2000
Fillimi i dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të XX-të solli rënien e
komunizmit në Shqipëri. Burgjet dhe kampet në vitin 1990 ishin
përfshirë në revolta. Të burgosurit, si pjesa më e shtypur e popullit
në shtetin komunist, kërkonin më tepër të drejta. Gjatë kësaj kohe
Shqipëria kishte këto burgje e kampe:
Reparti 311 Qafë Bari
Reparti 305 Sarandë
Reparti 321 Tepelenë
Reparti 303 Spaç
Reparti 301 Batër
Reparti 313 Tiranë
Reparti 314 Bardhore Kavajë
Reparti 327 Gjirokastër
Reparti 325 Tiranë
Reparti 318 Lushnjë
Reparti 321 Burrel
Miratimi i një rregulloreje të re për burgjet, e hartuar nga Ministria
e Brendshme në vitin 1990, nuk solli asnjë ndryshim për trajtimin e të
dënuarve.
Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, revoltat në burgje u bënë edhe më të
ashpra. Duke qenë në këto kushte, gjatë vitit 1991, Ministria e
Brendsh
me u përpoq që të zbuste situatën duke bërë disa ndryshime në organikë. Më tepër civilë do të tërhiqeshin në burgje, duke e konsideruar shërbimin në burgje jo vetëm ushtarak por edhe shërbim social. Pas fitores përfundimtare të demokracisë, ishte e qartë se burgjet dhe sistemi i drejtësisë ishin ndër të parat që duhej të ndryshonin.
Reforma ishte e gjithanshme dhe përfshiu të gjitha aspektet e sistemit
penitenciar, reformimin e administratës drejtuese të burgjeve, të
sistemit ligjor si dhe mënyrat e organizimit. Si në të gjithë sektorët,
edhe në sistemin penitenciar një rol të madh ka luajtur Këshilli i
Evropës, i cili hartoi programe konkrete dhe menaxhoi reformën
institucionale. Një grup ekspertësh nga Këshilli i Evropës hartoi një
manual për burgjet e Shqipërisë. Në korrik të 1993, u botua në shqip
manuali"Rregullat evropiane të burgjeve”.
Sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës në vitin 1993, sistemi i
burgjeve kaloi në varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, një masë që i
shërbente demokratizimit të burgjeve.
Fillimisht reforma solli mjaft vështirësi në zgjidhjen e problemeve
sidomos atyre ushtarake dhe ekonomike. Kishte vështirësi në furnizimin
e të dënuarve dhe rënie të disiplinës e kontrollit.
Por gjendja u keqësua dhe doli jashtë kontrollit në vitin 1997, ku duke
përfituar nga kaosi që shkaktuan firmat piramidale, u arratisën të
gjithë nga burgjet, një veprim që nuk kishte ndodhur as në luftërat
botërore.
Për të dalë nga kjo situatë e vështirë që u krijua nga arratisja e
gjithë të burgosurve, Parlamenti Shqiptar bëri një amnisti që falte një
të tretën e dënimit të gjithë të burgosurve që do të ktheheshin
vullnetarisht në burg. Kjo bëri që një pjesë e të burgosurve të
kthehej.
Gjatë vitit 1998-1999, për përmirësimin e kushteve të strehimit të
burgosurve dhe për rritjen e kapaciteteve të burgjeve në raport me
nivelin e kriminalitetit u investua nga shteti 26.389.100 lekë. Gjatë
kësaj periudhe u ndërtua Institucioni i Riedukimit në Vaqarr me
kapacitet për 200 persona, ku janë vendosur kryesisht minorenet. Në
vitin 1999 u bë rikonstruksioni i plotë i burgut të vjetër të Tiranës,
sot burgu 302.
Me asistencën e Këshillit të Evropës dhe të Ministrisë së Drejtësisë
italiane, gjatë vitit 1998 u hartuan dhe u miratuan nga Parlamenti
Shqiptar:
Ligji për policinë e burgjeve e koncepton strukturën të ndarë në dy pjesë. Në strukturën ushtarake e cila do të ketë si detyrë vetëm ruajtjen, sigurimin e burgjeve dhe shoqërimin e të burgosurve, si dhe struktura civile e cila do të ketë si detyrë trajnimin dhe rehabilitimin e tyre. Sipas këtij ligji sistemi i burgjeve vihet nën kontroll civil nga qendra (Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve) në bazë.
Ligji mbi
të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve vendos rregulla të reja mbi
respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të burgosurve, duke
përcaktuar si qëllim parësor edukimin e tyre. Ky ligj bën kategorizimin
e burgjeve, në burgje të sigurisë së lartë, të sigurisë së zakonshme
dhe të sigurisë së ulët në institucione të veçanta.
Sot në vendin tonë ndodhen 13 burgje dhe janë në fazë dorëzimi ose ndërtimi 4 të tjerë.
Referenca
Sufaj, F."Historia e Burgjeve të Shqipërisë gjatë shekullit XX”, albin, Tiranë, 2000.