Instituti i të Miturve Kavajë: Aktivitete të Shumta për të Miturit
Muaji maj ka shënuar organizimin e aktiviteteve të njëpasnjëshme
në Institutin e të Miturve Kavajë. Për vet specifikën e këtij
institucioni, në të cilin vuajnë dënimin të rinj, aktivitetet marrin një
rol mjaft të rëndësishëm për gjallërimin e jetës, e veçanërisht për
integrimin e tyre.
Përveç aktiviteteve dhe takimeve me karakter social dhe
psikologjik, organizimi i ndeshjeve të futbollit dhe me personalitete të
kësaj fushe, kanë qenë prioritare gjatë majit. Siç shprehen vet të
rinjtë, aktiviteti më i parapëlqyer është ai i organizimit të
aktiviteteve sportive.
Kështu, lojtari i Kombëtares Shqiptare Lorik Cana vizitoi
Institutin e të Miturve në Kavajë. Qëllimi i kësaj vizite ishte
inkurajimi i të rinjve që vuajnë dënimin në këtë institucion, për
adoptimin e një stili jete të shëndetshme dhe se gabimet e së shkuarës
nuk duhet të jenë pengim për të ardhmen. Për integrimin në shoqëri të
rinjve që janë në konflikt me ligjin është e domosdoshme mbështetja dhe
ndihma nga komuniteti. Takime të tilla ofrojnë mundësinë për
rehabilitimin e kësaj kategorie dhe rigjenerimin e shpresës për të
ardhmen. Pas takimit, u zhvillua një ndeshje sportive me të rinjtë, ku
Cana spikati dhe inkurajoi të rinjtë e talentuar në futboll, që të
vazhdonin këtë sport edhe në të ardhmen.
Aktivitet tjetër sportiv ishte dhe organizimi i ndeshjes me të
rinjtë e Klubit Sportiv “Shkumbini”. Ky aktivitet u zhvillua në një
atmosferë të këndshme dhe me shpirt gare, ku të rinjtë e Institutit
fituan 4 me 3.
Në kuadër të bashkëpunimit me institucione të ndryshme ndërmjet të
cilave, edhe me Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Aleksandër Moisiu”
Kavajë, u organizua aktivitet kulturor me pjesë teatrale të komedisë \'Pallati 176\'.
Aktivitete të tilla kanë një impakt mjaft pozitiv në edukimin e të
rinjve, zhvillimin e shpirtit bashkëpunues në skuadër, krijimin e një
klime të punës në grup si dhe spikatjen e talenteve në fusha të
ndryshme.