•  
  • Harta e Burgjeve

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizon aktivitetin “Midis tri kohëve”

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi sot (27/10/2009) në sallën e Teatrit Kombëtar aktivitetin “Midis tri kohëve”. Në këtë aktivitet, që u zhvillua në kuadër të promovimit të trajtimit human të të dënuarve për rehabilitimin e personave me liri të kufizuar, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazment Dibra, zv.ministri i Drejtësisë, Ermal Dobi, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, si dhe artistët e mirënjohur të skenës shqiptare, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu, Sherif Merdani etj. 

    Qëllimi i këtij aktiviteti ishte sensibilimi i institucioneve dhe shoqërisë civile për trajmin sa më human të personave në konflikt me ligjin si dhe prezantimi i ndryshimeve të metodave të punës në vite.

    Në fjalën përshëndetëse Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazment Dibra theksoi se “sot, të gjithë ne jemi koshientë për ndryshimët rrënjësore që ka pësuar sistemi i burgjeve, si dhe trajtimi dhe perceptimi për njerëzit që vuajnë dënime”. “Ne duhet të ndjehemi shumë krenarë nga këto ndryshime, pasi kemi bërë hapa përpara në vendosjen e standardeve bashkohore në legjislacion, infrastrukturorë në sistemin penintenciar, duke krijuar siguri dhe trajtim human”, tha z. Dibra.

    Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u shpreh se ne kemi hedhur baza të forta për ri-integrimin e të dënuarve në shoqëri. “Trajtimi human i te dënuarve ka qenë dhe do të mbetet prioritet i yni, pasi vetëm në këtë mënyrë ne do të mundemi bashkarisht që këta individë që sot vuajnë një dënim, ti bëjmë të ndjehen të aftë të përballojnë zhvillimet në tërësi. Ministria e Drejtësisë përmes projekteve konkrete është përpjekur që të bëjë realitet këtë ndryshim rrënjësor në trajtimin e të dënuarve”, tha z. Dibra.
    Duke bërë të njohura zhvillimet në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u shpreh se “sot ne kemi kurse profesionale, kompjuterike apo të mësimit të gjuhëve të huaja, të cilat ndiqen nga dhjetra të dënuar”. “Për të dënuarit kemi aplikuar procedurat e reja në punësimin e tyre. Në këtë kuadër mund t’ju them se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po punon intensivisht për të krijuar të gjitha hapësirat, për punësimin e të dënuarve jashtë I.E.V.Penale”, u shpreh zoti Dibra.
    Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve theksoi se ne po reformojmë sistemin e burgjeve në Shqipëri, duke arritur standardet që kanë vendet e Bashkimit Europian dhe shumë shpejt ne do të  eksportojmë eksperienca në këtë sistem.

    Duke përshëndetur të pranishmit në këtë aktivitet, zv. Ministri i Drejtësisë Ermal Dobi u ndal kryesisht në investimet që ka kryer Qeveria shqiptare në sistemin penintenciar, sikundër e cilësoi si një hallkë shumë të rëndësishme në sistemin e zbatimit të vendimeve penale. Zv.Ministri i Drejtësisë gjithashtu përmendi reformat e ndërmarra në legjislacion si dhe përmirësimin e kushteve në të gjitha I.E.V.Penale.
    Vlerësime shumë pozitive për ndryshimet e ndodhura në sistemin e burgjeve dhanë gjatë përshëndetjeve edhe artistët e mirënjohur Margarita Xhepa, Bujar Kapexhiu, Mirush Kabashi.   

    Aktiviteti “Midis tri kohëve” ishte i konceptuar në 3 pjesë. Ai filloi me ekspozimin e punimeve artistike të punuara nga të dënuarit. Gjatë pjesës së parë u bë një rezyme e shkurtër të burgjeve në periudhën e sistemit komunist. Pjesa e dytë prezantoi fillimin e ndryshimeve demokratike me ndërtimin e burgjeve të reja konform standarteve europiane dhe rikonstruksionin e burgjeve ekzistuese. Pjesa e tretë e aktivitetit ishte prezantimi i punës nga Sektori i Problemeve Shoqërore në D.P.B. në bashkëpunim me stafet e Shërbimit të Kujdesit Social. Gjithashtu u pasqyruan reformat e shumta në drejtim të zhvillimit të arsimit, kurseve profesionale si dhe aktiviteteve kulturore dhe sportive që i shërbejnë riintegrimit të këtyre personave në komunitet.

    Në fund të këtij aktiviteti të gërshetur me këngë dhe recitime u bë edhe ndarja e tre çmimeve për poezinë më të mirë. Artistët e mirënjohur Mirush Kabashi, Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu i dorëzuan çmimin e parë Taulant Balliut, ndërsa çmimet e dyta dhe të treta u dhanë përkatësisht për Dragot Skana dhe Adrian Muço.




    Foto Galeria

    Kerko te denuarit politik