Instituti i të Miturve në Kavajë Kushte Optimale për Trajtimin e të Miturve
Që prej tetorit të vitit 2009 ka nisur funksionimin e tij të plotë Instituti i të Miturve në Kavajë. Në këtë institut trajtohen të mitur nga mosha 14-18 vjeç, që kanë marrë një vendim të formës së prerë.
Qëllimi i trajtimit të të miturve në Institucionin e Kavajës, mbështetet në filozofinë e trajtimit human të kësaj kategorie dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare. Trajtimi i të miturve në këtë institucion është një ndërthurje efektive e eksperiencës dhe praktikave më të mirë të huaja, e një infrastrukture moderne dhe të përshtatshme për realizimin e një programi edukativ të plotë dhe specifik për këtë kategori nga një staf i specializuar dhe multidisiplinar trajtimi.
Është hartuar plani i dënimit për të miturit, mbështetur në nevojat, prirjet, kapacitetet dhe gjendjen psikologjike dhe shëndetësore të të miturve, me qëllim lehtësimin e procesit të rehabilitimit social nëpërmjet pjesëmarrjes së të miturve në aktivitete arsimore, të formimit profesional, kulturore-sportive, etj.
Për të miturit zbatohet një program ditor rigoroz që ka për qëllim aftësimin e të miturve me shprehi të të jetuarit në komunitet, rritjen e vetëvlerësimit dhe marrjen e përgjegjësive, respektimin e rregullave, njohjen me të drejtat dhe detyrimet, nxitjen e prirjeve në fusha të ndryshme, etj.
Gjatë vënies në efiçencë të këtij institucioni dhe në vazhdimësi, Institucioni i Kavajës është mbështetur dhe asistuar teknikisht nga organizata promovuese të të drejtave të fëmijëve, si UNICEF dhe partner të tjerë të DPB, si KShH, CRCA dhe KLM.