Rriten me 20% financimet për Përmirësimin e Kujdesit Shëndetësor
Në krahasim me vitin 2008, gjatë 2009, u rritën me 20% financimet për modernizimin e aparaturave mjekësore dhe stomatologjike në IEVP. Me financim të Qeverisë Shqiptare në dhjetor 2008 u ndërtua në Spitalin e Burgut salla e reanimacionit me një vlerë totale prej 6.5 milion lekë. Në maj të 2009 në këtë institucion u realizua një investim prej 4 milion lekë për pajisjen e laboratorit të analizave të gjakut si dhe një aparat grafie portative për të sëmurët në gjendje të rënduar shëndetësore.
Në saj të objektivit për përmirësimin e nivelit të kujdesit shëndetësor, gjatë vitit 2009 u bë një strukturim i ri i stafit shëndetësor në burgje dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor. Mesatarisht një institucion penal ka në strukturën e tij 1 mjek të përgjithshëm, një stomatolog, një farmacist dhe katër infermierë.
Të dënuarit dhe të paraburgosurit i nënshtrohen ekzaminimeve shëndetësore që në momentin e mbërritjes në institucion. Pajisen me Kartelën Mjekësore dhe Stomatologjike, ku i përcaktohet dhe trajtimi që duhet të ndjekin dhe i ofrohet asistencë mjekësore e specializuar në vendin e vuajtjes së dënimit. Në të gjithë sistemin është realizuar unifikimi i dokumentacionit shëndetësor.
Gjatë vitit 2008-2009 Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me OBSH realizoi depistimin e 2000 të dënuarve dhe të paraburgosurve për turbekulozin. Për të përmirësuar nivelin e shërbimit shëndetësor, 90 persona të stafit të mesëm dhe të lartë mjekësor janë trajnuar në lidhje me mënyrën e rehabilitimit të personave me probleme të shëndetit mendor. 30 punonjës të stafit mediko-social të IEVP Burrel, Fushë-Krujë dhe Vaqarr u trajnuan mbi sëmundjet seksualisht të trasmetueshme (SST-të) dhe përdoruesit e drogave. Trajnimet e stafit u realizuan në bashkëpunim me OSBE, OBSH dhe Shoqatën STOP/AIDS.