Manual Informues për Sistemin e Burgjeve dhe Paraburgimeve në Shqipëri
Sistemi i institucioneve të vuajtjes së dënimit, është një nga organizmat, ku reformat demokratike kanë sjellë një ndryshim tërësor. Ndryshimet kanë ardhur paralelisht me ndryshimet konceptuale, logjistike, financiare dhe infrastrukturore.
Gjatë viteve të komunizmit, burgjet shiheshin si institucione ndëshkimi, ku të dënuarit dhe burgosurit trajtoheshin në mënyrë ç’njerëzore. Në ditët e sotme, jemi duke punuar që institucionet penale të mos shihen vetëm si vende ndëshkimi, por si mjete për ri-integrimin e të dënuarve në shoqëri.
Për të sjellë më afër publikut dhe gjithë organizatave të cilat operojnë në fushën e të drejtave të njeriut, reformat që janë ndërmarrë në sistemin penitenciar, si dhe organizimin e sistemit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka botuar një manual informues, me titull: “Sistemi Penitenciar Shqiptar”.
Ky manual jep një pasqyrë të dhënash të mënyrës së organizimit dhe operimit të sistemit, institucionet penitenciare, aktivitete të rëndësishme, masat që janë marrë për trajtimin e personave me liri të kufizuar sipas standardeve evropiane, si dhe statistika të ndryshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me mbështetje të Qeverisë Shqiptare, si dhe shumë organizmave ndërkombëtare dhe vendase ka ndërmarrë një sërë iniciativash. Ndër to, do të veçonim, përmirësimin e vazhdueshëm të akteve ligjore dhe nënligjore që sigurojnë trajtimin me dinjitet të personave me liri të kufizuar, punësimin dhe strategjinë për përfshirjen në sigurimet shëndetësore të dënuarve dhe paraburgosurve, hapjen e shkollave dhe kurseve profesionale brenda institucioneve penale, programe të trajtimit individual dhe në grupe, organizimin e aktiviteteve social-kulturore, përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe ambienteve ku mbahen të burgosurit dhe shumë të tjera.
Duke punuar me seriozitet për trajtimin me dinjitet të personave me liri të kufizuar, aspirojmë që të rigjenerojmë shpresën për një shoqëri sa më të sigurt dhe të largojmë çdo ndjenjë paragjykimi dhe diskriminimi.
Krahas këtyre përpjekjeve, janë ndërmarrë një numër i gjerë iniciativash për trajtimin e stafit që punon me këtë kategori të shoqërisë në përmbushje të këtyre misioneve delikate dhe fisnike.