Personalitete të Fushës së Artit në IEVP
Shkrimtari i njohur Zija Cela dhe artistja Ermira Babaliu, takime me të dënuarit
Në qendër të punës së Sektorit të Kujdesit Social në DPB, është dhe organizimi i takimeve me personalitete të fushës së artit dhe kulturës, me të dënuarit. Në vazhdën e këtyre aktiviteteve, dy personalitete të njohur të fushës së artit, shkrimtari Zija Cela dhe artistja Ermira Babaliu, vizituan dy institucione penale.
Z. Cela, mori pjesë në zhvillimin e një aktiviteti letrar në sektorin e minorenëve në I.E.V.Penale , \"Jordan Misja\". Gjatë takimit, z. Cela u njoh me situatën në të cilën trajtohen te miturit, aktivitetin ditor të tyre, kurset që ofrohen për rritjen profesionale të miturve, si dhe talentet që spikasin. Një ndër fushat e parapëlqyera për të miturit është ajo e poezisë. Shumë prej të miturve kanë krijuar shumë poezi brenda institucioneve ku vuajnë dënimin, pjesa më e madhe e së cilëve, i kushtohen nënës dhe ëndrrës për të qenë të lirë.
Biseda e Celës me minorenet, u fokusua në këtë drejtim, në vazhdimin e krijimtarisë së minoreneve edhe brenda institucioneve penale dhe rëndësinë e mbajtjes së lidhjes me familjaret e tyre, sidomos nënën.
Ermila Babaliu ishte artistja e radhës e ftuar në IEVP Ali Demi, për një takim me të dënuarat dhe pjesëmarrëse në aktivitetin kulturor. Pjesë e këtij aktiviteti ishin dhe shkrimtaret Raimonda Moisiu e Violeta Gjoka, si dhe përfaqësuese të grave intelektuale të pavarura, zj. Kozeta Zavalani, Fatime Kulli.
Ky aktivitet, u hap me një këngë të znj. Babaliu dhe më pas vijoi me recitime të poezive nga K. Zavalani, F. Kulli. Shkrimtarja Raimonda Moisiu dhuroi 30 kopje librash tregime dhe esse “Duke kërkuar Adrianën” dhe vëllimin poetik “Sikur s’më ke puthur kurrë”, si dhe revista të numrave të ndryshëm “Obelisku”. Aktiviteti u gërshetua mes këngësh e vallesh, jo vetëm të përfaqësuesve por edhe nga të dënuarat.
28/06/2010