Diskutime mbi libra të ndryshëm dhe tematikave që trajtojnë, është një aktivitet mjaft i pëlqyer nga personat me liri të kufizuar. Në datën 18 qershor, në IEVP Ali Demi, u zhvillua aktiviteti letrar me temë diskutimi mbi romanin \"Të fshehtat e mikeve të mia“. Në fillim, u bë një përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes së romanit, duke e shoqëruar me citime nga libri.
Komentet për personazhet, ndjenjat dhe peizazhet e romanit, lidheshin edhe me persona me të cilët të dënuarit kanë kontakt çdo ditë si dhe me momente të bukura që ato kanë kaluar. Impakt shumë pozitiv pati komenti për personazhet pozitive, pasi pavarësisht nga këndvështrimi i romanit ata i lidhën ato me personat më të afërt dhe të dashur të familjeve të tyre.
Leximi në libër, të disa fenomeneve sociale që ndodhin rëndom në shoqërinë e sotme, ndezi debatin tek gratë, kjo duke qenë se shumica e tyre janë nëna dhe vlerësojnë rëndësinë e familjes.
Duke parë interesin e grave për të debatuar për tematika të ndryshme, Sektori i Problemeve Shoqërore do të përgatisë disa tema në mënyrë që të zhvillohen për periudhën korrik - gusht, kohë e cila përkon edhe me pushimet e institucioneve dhe organizatave të ndryshme që kryejnë aktivitetin në IEVP.