•  
  • Harta e Burgjeve

    Realizohet me sukses projekti “Mbështetje për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të mundësojë ri-integrimin e të dënuarve a të dënuarave me heqje lirie”

    Realizohet me sukses projekti “Mbështetje për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të mundësojë ri-integrimin e të dënuarve a të dënuarave me heqje lirie”
    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me datë  18 qershor 2010, organizoi në ambientet e regjimit të grave në I.E.V.Penale “Ali Demi”, një aktivitet për promovimin e investimeve në pajisje, të  bëra në kuadër të projektit “Mbështetje për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të mundësojë ri-integrimin e të dënuarve a të dënuarave me heqje lirie” një projekt i Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
    Pjesëmarrës në këtë takim ishte Ministri i Drejtësisë  z. Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Gazment Dibra, si dhe ambasadori i Spanjës në Shqipëri z.Manuel Montobbio.

    Investimet në I.E.V.Penale “Ali Demi” janë në vazhdim të investimeve të bëra në  institucione të  tjera penitenciare si në I.E.V.P.Vlorë dhe Fushë-Krujë. Falë këtij projekti:
    -    Janë trajnuar rreth 138 punonjës të sistemit të burgjeve mbi Programet e Individualizuara të  Trajtimit për kategori të ndryshme vulnerabël si: të droguar, dhunues gjinore, të sëmurë  mendorë, etj.

    -    Janë pajisur I.E.V.P.Vlorë dhe Fushë-Krujë me bazën e nevojshme materiale për zhvillimin e kurseve të gjuhës së huaj dhe kompjuterit, gjithashtu të kurseve të tjera profesionale si ato të  hidraulikës, zdrukthëtarisë, mekanikës, lulishtarisë, etj., me një  vlerë  prej 65 000 eurosh.
    -    Në  I.E.V.P.Fushë-Krujë po me investim të këtij projekti, po ndërtohet një  fushë  futbolli për të  dënuarit dhe të  paraburgosurit e këtij institucioni, me një vlerë prej 27 000 eurosh.

    Investimet e bëra në I.E.V.P.”Ali Demi”, konsistojnë në pajisjen e sallës së informatikës me kompjuterë të teknologjisë bashkëkohore; pajisjen e ambientit të kuzhinës me pajisjet e nevojshme ku gratë e dënuara mund të ndjehen sërish amvisa; ndërtimin e një sere lulesh, ku të dënuarat do të  kenë  mundësi jo vetëm të formohen profesionalisht në kursin e lulishtarisë, por edhe të kenë mundësi në një të ardhme të  krijojnë të ardhurat e tyre nëpërmjet tregtimit të luleve.

    Pas vizitës së kryer në ambientet e ku janë bërë investimet, aktiviteti pasoi me fjalën përshëndetëse të Ministrit të Drejtësisë z.Nishani, i cili vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit të Ministrisë së Drejtësisë me Kooperacionin Spanjoll, në zbatimin e disa projekteve pjesë e të cilave është edhe reformimi i sistemit të vuajtjes së dënimit.  Më pas, z. Nishani u fokusua në politikat që po ndjek në vazhdimësi Ministria e Drejtësisë, në drejtim të përmirësimit të trajtimit të burgosurve në I.E.V.Penale, veçanërisht të grave në konflikt me ligjin. Aktiviteti vijoi me fjalën përshëndetëse të Ambasadorit Spanjoll z.Montobio, i cili vuri theksin gjithashtu në bashkëpunimin e frytshëm me Ministrinë e Drejtësisë, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimësinë e bashkëpunimit në këtë drejtim.  Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z. Gazment Dibra, në fjalën e tij theksoi rëndësinë dhe impaktin pozitiv, që ky investim solli për gratë e dënuara.
    Aktiviteti pasoi me shpërndarjen e certifikatave për 33 gra të dënuara, të cilat përfunduan me sukses kursin e kompjuterit dhe të gjuhës angleze.

    18/06/2010




    Foto Galeria

    Kerko te denuarit politik