INSTITUCIONI I EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE LEZHË

INSTITUCIONI I EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE LEZHË



Historiku

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë shtrihet në afërsi të fshatit Shënkoll, rreth 13 km në jug të qytetit. Ngritja dhe funksionimi i këtij institucioni është i ndarë në katër periudha. Periudha e parë fillon nga vitet 1981-1989 i destinuar për të dënuar të moshuar. Periudha e dytë vazhdon nga vitet 1989-1991 i destinuar si Shkollë Riedukimi për Minorenët. Periudha e tretë përfshin vitet 1991-1997, gjatë së cilës ndryshoi kategorizimi i institucionit nga shkollë riedukimi në institucion të vuajtjes së dënimit.

Gjatë trazirave të marsit në vitin 1997 deri në vitin 2005, nuk u mbajt asnjë i dënuar në ambientet e këtij institucioni. Kjo periudhë shërbeu për rikonstruksionin e IEVP Lezhë dhe adaptimin e ambienteve në kushte më të mira. Periudha e fundit është pas vitit 2005, në të cilin institucioni kategorizohet si i sigurisë së zakonshme.

Në vitin 2006 u bë rikonstruksion i plotë i godinës ku u vendos sistem i ri elektrik dhe hidraulik, tualet në çdo dhomë si dhe u bë përshtatja e dhomave për takime me avokatët, hetuesve dhe prokurorëve me të paraburgosurit. Investimet në rikonstruksione vazhduan edhe në muajt pasardhës ku u përshtatën ambiente për biblioteka, dhoma këshillimi dhe klasa për mësim për minorenët.

Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë institucioni u kategorizua i sigurisë së zakonshme, me një seksion paraburgimi dhe një seksion paraburgimi për të mitur. Kapaciteti maksimal është për 700 persona.

Drejtuesi aktual i IEVP Lezhë është z. Shaban Hysa. 

Orari i Vizitave

Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të premte ora 08:00 –15:00, të shtunën 08:00 - 13:00. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.   

Aktivitetet

Në IEVP Lezhë në çdo godinë janë përshtatur ambiente për biblioteka, ku të dënuarve dhe paraburgosurve u jepet mundësia të lexojnë apo studiojnë literatura të ndryshme. Brenda këtyre ambienteve kryhen dhe veprimtari të tjera si lojëra tavoline, është pasqyruar tabela e krijimtarive letrare e artistike. Organizimi i kampionateve sportive shihet si nga më të pëlqyerit për personat me liri të kufizuar. Për këtë janë ndërtuar fusha sportive për zhvillimin e këtyre veprimtarive. Përveç kësaj, në këtë institucion janë ndërtuar dy dhoma kulti të pajisura me materiale didaktike dhe literaturë fetare, njëra për besimin e krishterë dhe tjetra për atë mysliman, në të cilat ndjekin ritet fetare të dënuarit dhe paraburgosurit.    


Shërbimet që Ofrohen

Në IEVP Lezhë ofrohen për të dënuarit shërbime të ndryshme si shërbimi mjekësor, shërbimi stomatologjik, edukativ, punësimi sipas kushteve të institucionit, korrespondencat me avokatët, familjarët dhe Avokatin e Popullit, asistencë ligjore, etj. Sipas planifikimit vjetor specialistët e edukimit zhvillojnë tema me karakter psiko-social dhe ri-integrues. Diskutimet përfshijnë tema të tilla si gjakmarrja, një fenomen i Shqipërisë veriore, efektet dhe pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, krimi në familje, zbatimi i rregullave në grup, komunikimi, etj.


Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: Shënkoll, Lezhë
Numër kontakti: 02152099 - 0686056012

Email: info.ievplezhe@dpbsh.gov.al