Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lushnjë

Historiku

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lushnjë, ndodhet në fshatin Kosovë e Madhe të Qarkut Elbasan.  Ndërtimi i kësaj IEVP ka filluar në prill të vitit 1975 dhe pjesa më e madhe e punimeve është realizuar nga të dënuarit e burgut Valas në Elbasan. Ky burg është ndërtuar me synimin për të vuajtur dënimin gratë që kishin kryer vepra penale. Më datë 29.12.1976 institucioni u popullua me gra të dënuara, rreth 450, të transferuara nga reparti i grave të qytetit Stalin (sot Kuçovë). Menjëherë pas mbërritjes në institucion të dënuarat u punësuan në Ndërmarrjen Bujqësore Kosovë, ku punuan deri në vitin 1990.

Dhomat e të dënuarave ishin kapanone të pajisur me 30 shtretër. Mosha e të dënuarave ishte nga 14 vjeç – 60 vjeç, me dënim nga 3 muaj deri në 25 vjet. Gratë ishin të ndarë në dy seksione; në seksionin nr. 1 jetonin gratë e dënuara për agjitacion politik dhe në seksionin nr. 2 gratë që kishin kryer vepra të tjera penale.

Në maj të vitit 1990 të dënuarat u transferuan nga ky institucion dhe u dërguan në IEVP “Ali Demi”, ku janë duke vuajtur dënimin edhe në ditët e sotme.

Në gusht të vitit 1990 në këtë IEVP u transferuan të dënuarit politik të burgut të Burrelit të cilët u amnistuan në vitin 1991. Në mars të vitit 1997 si rezultat i kaosit social që kishte shpërthyer në vend u arratisën të gjithë të burgosurit e këtij institucioni. Në tetor të po atij viti rifilloi popullimi i këtij institucioni.

Për përmirësimin e kushteve të dënuarve dhe adaptimin e ambienteve janë bërë një sërë ndërhyrjesh. Në vitin 1994 u ndërtua rrethi perimetrik i jashtëm i institucionit; në vitin 1996 u rikonstruktuan ambientet e brendshme të burgut; në vitin 1998 u ndërtuan zyrat e administratës; në vitin 1999 u bë ndërtimi i dhomave të takimit e lavanderisë.

Kapaciteti i institucionit në ditët e sotme është 189 persona. Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, IEVP Lushnjë është kategorizuar burg I sigurisë së zakonshme.

Drejtuesi aktual  i IEVP Lushnjë është z. Judmir Shurdhi. 

Orari i Vizitave

Çdo qytetar mund të takojë të afërmit e tyre që ndodhen në IEVP Lushnjë nga e hëna deri të shtunën nga ora 08:30 – 14:30. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.

Aktivitetet

Aktivitetet që zhvillohen me të dënuarit në këtë institucion përfshijnë volejboll, futboll, ping-pong, domino, shah, tavëll. Gjithashtu organizohen biseda me karakter njohës e historik, fetare e shoqërore si dhe tematika të ndryshme me interes për të dënuarit.

Shërbimet që Ofrohen

Shërbimet që ofrohen në këtë institucion ndahen në dy kategori: Shërbime 24 orësh siç është ai shëndetësor dhe stomatologjik dhe shërbime ditore të përcaktuara me orare të ndryshme si biblioteka, kurse të ndryshme profesionale dhe organizimi i shërbesave fetare.

Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: Burgu Kosovë e Madhe, Lushnjë
Numër kontakti: 035222822 – 035222870 - 0686056008


Email: info.ievplushnje@dpbsh.gov.al