Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin

 

Historiku

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin, shtrihet në lindje të qytetit të Peqinit. Ai ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 57.000 m2 nga të cilat 40.000 m2 i përkasin ambienteve të brendshme të vuajtjes së dënimit dhe pjesa tjetër ambienteve të jashtme. Ky institucion ka filluar aktivitetin në nëntor të vitit 2003. Ndërtimi i këtij burgu është bërë i mundur ndërmjet bashkëpunimit të Qeverisë Shqiptare me atë Italiane. Fillimisht në këtë institucion janë akomoduar të dënuar të sigurisë së zakonshme dhe në korrik të vitit 2004 filloi pranimi dhe sistemi i të dënuarve të sigurisë së lartë.

Institucioni është projektuar dhe ndërtuar sipas koncepteve bashkëkohore dhe të gjitha godinat e përfshira në të janë mjaft funksionale dhe të standardeve evropiane.

Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, IEVP Peqin është kategorizuar burg i sigurisë së lartë, me një seksion të sigurisë së zakonshme dhe një seksion paraburgimi. Kapacitetet akomoduese të institucionit janë për 685 persona, të ndarë 408 të dënuar për sigurinë e zakonshme, 229 të dënuar të sigurisë së lartë dhe 48 te paraburgosur.

Drejtuesi aktual i IEVP Peqin është Z. Emin Shpata.

Orari i Vizitave 

Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të premten nga ora 08:30 – 14:30, ndërsa ditën e shtunë nga ora 8:00 – 13:00. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.

Aktivitetet

Në regjimin e brendshëm janë ngritur 8 fusha mini futbolli dhe 5 fusha volejbolli ku zhvillohen aktivitete të përditshme nga të dënuarit dhe paraburgosurit. Çdo javë organizohen 3-4 ndeshje futbolli dhe volejbolli ndërmjet sektorëve si dhe kampionate sportive. Gjithashtu organizohen ndeshje sportive dhe me ekipet e vendit. Në përfundim të kampionatit shpallen 10 sportistët më të mirë. Përveç aktiviteteve me karakter sportiv në këtë institucion organizohen veprimtari kulturore-artistike, ekspozita me punimet e të dënuarve, koncerte me rastin e festave të ndryshme si dhe promovime të krijimtarive letrare apo botime të personave me liri të kufizuar.

Veprimtaritë fetare janë një tjetër aspekt i rëndësishëm i jetës në këtë IEVP. Çdo të mërkurë në kishën e institucionit organizohen shërbesa fetare në të cilën marrin pjesë 60 të dënuar. Ndërsa të premten zhvillohen ritet fetare të besimit mysliman, që ndiqen nga 95 të dënuar.

Në IEVP Peqin është hapur shkolla e parë 9-vjeçare. Në regjimin e brendshëm të vuajtjes së dënimit funksionon klasa e parë dhe e pestë të cilat frekuentohen nga 40 të dënuar.

Shërbimet që Ofrohen

Të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Peqin ju ofrohen këto shërbime:

  • Shërbim shëndetësor 24 orësh me një staf prej 3 mjekë të përgjithshëm, 1 mjek stomatolog, farmacistë dhe 6 ndihmës mjekë.
  • Shërbim i kujdesit social me një staf prej 10 personash
  • Shërbimi ligjor ku shërbejnë një staf prej 3 juristë dhe 2 kartelistë
  • Shërbimi i korrespondencës në funksion të cilës janë vendosur kuti postare në çdo sektor të regjimit të brendshëm
  • Hapja e 12 klasave që shërbejnë për bibliotekë, kurse të gjuhëve të huaja dhe lojëra tavoline

Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: IEVP Peqin, Lagja TEQE

Tel/Fax: 051223542


Email: info.ievppeqin@dpbsh.gov.al