Pezullimi i lejeve në kuadër të zgjedhjeve vendore, Naço dhe Zoto takim pune

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto zhvilluan një mbledhje me të gjithë drejtuesit e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale me objekt pezullimin e lejeve dhe marrjen e masave gjatë procesit të zgjedhjeve vendore 2015.

Ndër të tjera, Ministri Naço theksoi se muaji Maj dhe Qershor do të jenë të ngarkuar me fushatën elektorale dhe zhvillimin e zgjedhjeve vendore, gjë e cila kërkon edhe angazhimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për mospërfshirjen e personave me liri të kufizuar në fushatë, mospërdorimin e tyre për qëllime politike, prishjen e qetësisë publike apo të tjera problematika të kësaj natyre.

“Në kuadër të zhvillimit të zgjedhjeve për qeverisjen vendore 2015, ne kemi marrë një sërë masash për garantimin e kushteve të sigurisë, për t’i paraprirë çdo situate të mundshme të keqpërdorjes së personave me liri të kufizuar. Konkretisht, është nxjerrë një Urdhër “Mbi pezullimin e lejeve shpërblyese e të veçanta për personat e dënuar me burgim dhe të paraburgosurit”. Ky urdhër iu bë me dije të gjitha IEVPenale në vend, si dhe u zhvillua një mbledhje pune e rëndësishme ku u dhanë edhe udhëzimet përkatëse. Urdhri mbi pezullimin e lejeve saktëson periudhën e mosdhënies së lejeve, që fillon në datën 21 maj 2015 dhe përfundon më datë 1 korrik 2015, respektivisht 1 muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe 10 ditë pas zgjedhjeve.”- cilësoi Ministri në fjalën e tij përpara mediave.

 Më tej, duke iu referuar disa të dhënave statistikore, z. Naço bëri me dije për drejtuesit e IEVPenale dhe mediat se në të kaluarën lejet kanë qenë objekt abuzimi dhe shfrytëzimi për qëllime fushate.

“Gjatë vitit 2013 janë dhënë 512 leje të veçanta, ndërsa në vitin 2014 janë dhënë vetëm 214, pra krahasimisht më pak se gjysma. Po ashtu, gjatë vitit 2013 janë dhënë 2133 leje shpërblyese, ku bie në sy fakti që këto leje kanë qenë më të shumta gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013. Ne përkundrazi, do të rrisim vëmendjen për mosabuzim me lejet, në funksion edhe të transparencës me publikun.”- u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nxjerrë edhe një sërë shkresash të tjera me qëllim mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve edhe në burgje, pasi sikurse dihet DPBurgjeve është institucion i posaçëm dhe si i tillë, ai u mundëson të drejtën e votimit edhe personave me liri të kufizuar në vendin e vuajtjes së dënimit.

Sa më sipër, është mbajtur komunikimi shkresor- zyrtar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me objekt marrjen e masave për zgjedhjet e qeverisjes vendore dhe përgatitjen e listave të zgjedhësve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Në këtë shkresë kërkohej informacion për mënyrën e votimit të të burgosurve që ndodhen në IEVPenale, të cilat nuk përkojnë me vendbanimet e tyre. Gjithashtu, të gjitha IEVPenale të vendit janë vënë në dijeni, sikurse edhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në lidhje me procesin parapërgatitor për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, ku është kërkuar që të hartohen, sipas institucioneve, listat e të dënuarve e të paraburgosurve që janë votues në njësitë vendore ku ndodhen IEVPenale. Për këtë qëllim, janë përcjellë të dhënat personale të personave me liri të kufizuar (kopje e kartës së identitetit osë certifikatë personale) në Zyrat Rajonale të Gjendjes Civile, si dhe një kopje e listave të zgjedhësve në DPB, duke marrë edhe masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

 Ndërsa me një tjetër Urdhër janë informuar IEVPenale “Mbi Marrjen e Masave të Nevojshme për Zbatimin e Kodit Zgjedhor në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, i cili synon garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe kryerjen e detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore e nënligjore. Në këtë urdhër kërkohet ndalimi i vënies në përdorim të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike për zgjedhjet vendore të datës 21 qershor 2015, në mbështetje të individëve apo subjekteve zgjedhore; zbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi për mosangazhimin e punonjësve të stafit me uniformë dhe atyre civilë në fushata zgjedhore për përfaqësuesit e subjekteve politike të zgjedhjeve të pushtetit vendor; garantimi i zbatimit të Kodit Zgjedhor  për ndalimin e vënies në dispozicion të materialeve të ndryshme zgjedhore, si dhe përfshirjen e stafit për fushata zgjedhore brenda IEVP.

 Duke patur parasysh që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve hyn në listën e institucioneve të rëndësisë së veçantë, votimi do të bëhet në institucion edhe për ata të burgosur që nuk kanë vendbanimin në zonën zgjedhore ku ndodhet IEVPenale përkatëse. Këto masa garantojnë zbatimin e parimit universal të së drejtës së individit për të votuar, pavarësisht kufizimit të lirisë fizike, si dhe në zbatim të nenit 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

20.05.2015