Ekspertë nga Këshilli i Europës, tryezë pune me përfaqësues të sistemit të burgjeve

Ekspertë nga Këshilli i Europës, tryezë pune me përfaqësues të sistemit të burgjeve

Në bashkëpunim me Këshillin e Evropës më 25- 26 maj 2015 u organizua takimi i stafit multidisiplinar me përfaqësues të të gjitha institucioneve penale me temë "Kushtet dhe trajtimi i të burgosurve në Shqipëri". I konceptuar në formën e një sesioni të hapur diskutimi dhe ndarje të eksperiencave pozitive, ekspertët e Këshillit të Evropës prezantuan disa parime dhe praktika të vendeve të tyre, të cilat përfshinin: standardet e Këshillit të Evropës dhe Komitetit të Parandalimit të Torturës; menaxhimin e të burgosurve me dënime të gjata dhe të përjetshëm; vendosjen në izolim si dënim disiplinor, masat e sigurisë dhe mjetet fiksuese; menaxhimin e stafit të burgjeve, trajnimi fillestar dhe i vazhdueshëm; trajtimin e të burgosurve vulnerabël; forcimin e sigurisë nëpërmjet marrëdhënieve konstruktive ndërmjet stafit dhe të burgosurve; garantimin e mbrojtjes nga keqtrajtimi, ankesat e të burgosurve, inspektimi i brendshëm dhe monitorimi i pavarur.

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Bledar Skënderi, paraqiti një panoramë të përgjithshme të kushteve dhe trajtimit të personave me liri të kufizuar, duke nënvizuar masat e marra në zbatim të rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e institucioneve penale, të stafit të nivelit të menaxhimit të lartë dhe të mesëm, prezantuan masat e marra, programet dhe aktivitetet zbatuese për trajtimin e personave me liri të kufizuar në Shqipëri.

Referuar praktikave të vendeve të ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe programeve rehabilituese që aplikoheshin nëe sistemet e tyre, u panë me interes të veçantë disa modele të menaxhimit dhe instrumenteve për matjen e klimës në institucion, të cilat janë të nevojshme për tu aplikuar edhe në sistemin shqiptar. Modeli i parë i referuar në këtë tryezë pune ishte ai i menaxhimit të seksioneve të sigurisë, nëpërmjet motivimit të stafit. Në modelin e prezantuar nga ekspertët e CoE-së, ishin vendosur disa indikatorë, realizimi i të cilëve i shpërblente punonjësit që i kishin arritur ato, si psh. seksionet në të cilat nuk futeshin sende të ndaluara, mungonin tentativat për arratisje, tentativat suicidale, konfliktet midis të burgosurve etj. Modeli i dytë ishte instrumenti shkencor dhe i standardizuar i matjes së recidivizmit. Në bashkëpunim me institucioneve shkencore të afirmuara, sistemet e burgjeve në Estoni dhe Çeki kishin adaptuar një instrument shkencor për matjen e recidivizmit dhe probabilitetin e personave për tu rikthyer në sjelljet kriminale. Ky instrument ishte i individualizuar. Ndërsa modeli i tretë ishte ai për menaxhimin dhe trajtimin e personave, të cilët kishin kryer veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Sipas diskutimit të eksperiencës, edhe në vendin tonë kjo kategori rezulton problematike, pasi personat që kanë kryer këtë vepër penale bëhen objekt dhunimi dhe diskriminimi nga të burgosurit e tjerë dhe shihen si kategoria më e ulët në institucionet penitenciare.

Fokus të veçantë gjatë takimit mori trajtimi i të burgosurve të mitur, grave, të moshuarve, personave me probleme të shëndetit mendor, si dhe garantimi i mbrojtjes nga keqtrajtimi. Përfaqësuesit e institucioneve të Kavajës, Ali Demit, Krujës dhe Durrësit ndanë eksperiencat e tyre lidhur me trajtimin e kësaj kategorie në institucionet përkatëse dhe masat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ri-integrimin e tyre në shoqëri. Gjithashtu, u prezantuan instrumentet zbatuese për garantimin e zbatimeve ligjore për mekanizmin e kërkesë- ankesës, si dhe mjetet e vëna në dispozicion nga DPB për administrimin e kërkesave dhe ankesave të personave me liri të kufizuar.

Në përfundim të takimit u theksuan rekomandimet e ekspertëve të CoE-së, të cilat do të përbëjnë edhe fokusin e bashkëpunimit me DPB. Ky bashkëpunim mendohet që të konsistojë në hartimin dhe implementimin e një instrumenti shkencor dhe të standardizuar për matjen e recidivizmit në burgjet shqiptare dhe efektivitetin e programeve rehabilituese. Paraprakisht është menduar që gjatë muajit tetor 2015 ekspertë të Këshillit të Evropës dhe të Sistemit të Burgjeve të punojnë së bashku për hartimin e instrumentit, pilotimin në 2 ose më shumë institucione dhe trajnimin e stafit për zbatimin e tij. Një tjetër pikë bashkëpunimi do të lidhet me menaxhimin e të burgosurve për kryerjen e veprave penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Sikurse është theksuar edhe në të tjera takime, do të synohet forcimi më tej i bashkëpunimit të DPB me DP të Shërbimit të Provës, për efektivitetin e ri-integrimit të personave që lirohen me kusht. Po ashtu. Do të synohet përmirësimi i shërbimeve për personat me probleme të shëndetit mendor, nëpërmjet koordinimit më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe njehsimin e shërbimit sipas politikave shëndetësore publike.

 Ekspertët e Këshillit të Evropës shprehën mirenjohje për angazhimin e stafit të DPB, duke nënvizuar se takimi arriti qëllimet kryesore, duke hedhur kështu bazën për të vijuar bashkëpunimin e frytshëm dypalësh.

27.05.2015