Pjesëmarrje në Europris 2015

Pjesëmarrje në Europris 2015

Nga data 8-10 qershor zhvillohet konferenca ndërkombëtare e Europris 2015, organizata europiane e shërbimit të burgjeve. Takimi vjetor, ku prezantohet aktiviteti i organizatës për dy vitet e ardhshme, mbahet në Bukuresht të Rumanisë. Vendi ynë, që do të anëtarësohet në vitin 2016, u përfaqësua këtë vit nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. Në lidhje me perspektivën e anëtarësimit në Europris, kreu i burgjeve Zoto u shpreh se është një hap i mëtejshëm drejt zhvillimit të sistemit të burgjeve në vendin tonë.

"Anëtarësimi vjen pas reformave të ndërmarra dhe që për ne do të thotë më tepër përqasje me rregullat dhe standardet europiane. Po ashtu, kërkon përmirësim të mëtejshëm të monitorimit të sistemit të burgjeve, duke përfshirë këtu implementimin e sistemeve më të sofistikuara të teknologjisë së informacionit dhe sigurisë, që tashmë janë adaptuar me sukses në vendet e rajonit."- u shpreh Zoto.

Në analizën vjetore të vitit 2014, që u  prezantua nga zv. Presidenti i Europris, Michael Spurr, u përmënd progresi që është bërë në sistemin e burgjeve në vendin tonë. Konferenca vijon sot me takimin e drejtorëve të burgjeve, organizuar nga Këshilli i Europës, me temë rreth radikalizimit në burgje dhe parandalimin e tij, si dhe sfidat strategjike të sistemit të burgjeve dhe shërbimit të provës. Në konferencë marrin pjesë edhe përfaqësues nga Komisioni Europian.

11/06/2015