Trajnim trajnerësh të sistemit të burgjeve, bashkëpunim nga OSBE, ICTAP dhe Policia e Shtetit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ICITAP organizuan ceremoninë e certifikimit për trajnim trajnerësh në sistemin penitenciar. Trajnimi i cili u shtri përgjatë dy javëve, nga data 23 qershor deri në 3 korrik, përfshiu pjesëmarrjen e 16 të trajnuarve dhe 6 trajnerëve (instruktorë) të sistemit të burgjeve dhe policisë së shtetit, që dhanë njohuri për punonjësit e përzgjedhur nga stafet e burgjeve të të gjithë Shqipërisë. Mjekë, punonjës socialë, juristë, punonjës të sigurisë së burgjeve ishin bashkuar në këtë program, i cili është i dyti në llojin e tij që po zbatohet në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me mbështetjen e dy organizatave ndërkombëtare të rëndësishme në vendin tonë, siç janë OSBE dhe ICITAP. Trajnimet kishin në fokus zhvillimin e aftësive pedagogjike, të drejtimit të institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale, të dhënies së njohurive mbi tema të rëndësishme që janë pjesë e punës së përditshme në këtë sistem.

Të pranishëm në ceremoni ishin Ambasador Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Steve Bennett, drejtor i programit ICITAP, z. Nikoll Rica Nëndrejtor i Policisë së Shtetit dhe z. Artur Zoto, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Zoto në fjalën e tij të hapjes dhe në rolin e moderatorit të aktivitetit, falenderoi prezencën e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme të DPB me projekte që ngrejnë kapacitetet e stafeve të burgjeve dhe çojnë në përmirësimin e jetës dhe trajtimit të personave të privuar nga liria.

 “Krijimi i një stafi të certifikuar instruktorësh ka për qëllim jo vetëm unifikimin e trajnimeve të zhvilluara në sistemin penitenciar, por ajo që është më e rëndësishme marrja e pronësisë së zhvillimit të tyre, pasi deri më tani këtë pronësi e kanë patur shoqata të ndryshme, të cilat më tepër kanë qenë të orientuara nga sasia sesa cilësia. Këta trajnerë të burgjeve demonstrojnë qasjen dhe vizionin tonë për një sistem kaskadë trajnimi brenda DPB, por duke përfshirë edhe Akademinë e Sigurisë në zhvillimin e tyre.”- u shpreh ndër të tjera Zoto.

Në lidhje me të drejtat dhe mbrojtjen e personave të privuar nga liria në Shqipëri u shpreh Ambasadori Florian Raunig, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili tha se për të garantuar këto të drejta është e domosdoshme që të bëhet trajnimi i vazhdueshëm i personelit të burgjeve.

“Miratimi i Rregullores së Trajnimeve në Sistemin e Burgjeve dhe nisma e DPB për të krijuar një ekip trajnerësh brenda sistemit të burgjeve janë zhvillime pozitive. Për të mbështetur më tej këtë objektiv, Prezenca filloi dhe mbështeti krijimin e një programi ndërdisiplinor e të avancuar studimesh me qëllim forcimin e institucioneve brenda sistemit të drejtësisë, të cilat synojnë parandalimin e krimeve dhe edukimin e riintegrimin e autorëve të veprave penale në shoqëri. Kursi për trajnerë që përfundoi sot është një tjetër element përbërës, që do të ndihmojë për garantimin e standardeve të larta në administratën e burgjeve. Personeli i burgjeve duhet të ketë aftësi që jo vetëm të ushtrojë kontrollin dhe mbikqyrjen e duhur, por edhe që të japë udhëzime brenda një mjedisi të strukturuar që promovon riintegrimin e autorëve të veprave penale dhe që iunkurajon përfshirjen sociale.”- theksoi në fjalën e tij të përshëndetjes Ambasadori Raunig.

Takimi u mbyll me ceremoninë e dhënies së certifikatave për të trajnuarit, të cilët janë punonjës me eksperiencë të gjatë në sistemin e burgjeve dhe paraqesin të dhëna premtuese për të qenë trajnerë për pjesën tjetër të stafeve të burgjeve.

 “Përfundimi me sukses i këtij trajnimi, më tepër sesa një sukses individual nga ana e të sapo certifikuarve, është një histori suksesi e bashkëpunimit institucional midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Policisë së Shtetit, me  mbështetjen e paçmuar të OSBE dhe ICITAP. Suksesi i një organizate është shumë i lidhur me aftësitë apo njohuritë e stafit për të kryer rolin që kanë. Këto aftësi zhvillohen e përmirësohen nëpërmjet trajnimeve, ku krijimi i një stafi të certifikuar instruktorësh është domosdoshmëri. Nëpërmjet ofrimit të trajnimeve cilësore për stafin, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të bëjë të mundur garantimin dhe respektimin e të drejtave për personat me liri të kufizuar, si dhe ajo që është më e rëndësishmja, riintegrimin e tyre në shoqëri.”- theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve në përfundim të aktivitetit.

06.07.2015