Tryezë diskutimi me shoqërinë civile, shpalosen prioritetet e punës për 2016

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi sot një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, si organizata partnere me të cilat bashkëpunon DPB, institucionet vendase dhe ato të huaja të vendosura në vendin tonë, përfaqësuesit e trupit diplomatik etj. Fokusi i tryezës ishte prezantimi i prioriteteve të punës së institucionit të burgjeve dhe mënyrat e bashkëpunimit me organizatat për vitin 2016, përputhjen e qëllimeve dhe objektivave, si dhe rritjen e efikasitetit të punës së të dyja palëve. Në panel ishin të ftuar Avokati i Popullit, z. Igli Totozani; Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Wilton; Këshilltari i DPB dhe përfaqësues i Ambasadës Britanike në Shqipëri, njëkohësisht ekspert i burgjeve, z. Greg Riley-Smith, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, që moderoi takimin e punës dhe iu përgjigj diskutimeve aktive.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Zoto i njohu të pranishmit me qëllimin e kësaj tryeze, që ishte prezantimi i prioriteteve afatshkurtra dhe afatmesme të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, diskutimi i hapave të mëtejshme të bashkëpunimit me shoqërinë civile për periudhën 2016-2017 në përmbushje të prioriteteve të përbashkëta, si dhe ngritjes së mekanizmave rregullatore për projekte që u përkasin kryesisht grupeve me nevoja specifike në sistemin e burgjeve.

 “Ne vijmë sot këtu për t’ju falenderuar për atë që keni bërë gjatë vitit 2015 dhe që do të bëni më shumë për këtë vit kalendarik, për t’ju falenderuar që dhe na keni kritikuar, por edhe vlerësuar për ato që kemi bërë. Jemi sot këtu për të diskutuar në lidhje me forcimin e bashkëpunimit dhe për ta orientuar atë në përputhje me prioritet apo nevojat qe kemi. Këto prioritete janë pa dyshim siguria, lufta kunder korrupsionit, rehabilitimi, efektshmëria e menaxhimit të institucioneve, partneriteti, cilësia e shërbimeve etj. Jemi të bindur se transparenca, identifikimi i problemeve, ballafaqimi me to kërkon kurajo dhe kultivim vlerash organizative.”- u shpreh në fjalën e hapjes Drejtori Zoto.

Ndërsa më tej, duke theksuar nevojën e një bashkëpunimi të orientuar drejt rezultateve, Zoto u bëri thirrje mediave që projektet e tyre t’i fokusojnë aty ku janë më të mëdha nevojat për ndërhyrje, në mënyrë që edhe rezultati të jetë i matshëm.

“Puna dhe monitorimi juaj është shumë i domosdoshëm për të garantuar një sistem penitenciar larg dhunës, abuzimeve, trajtimit jo human dhe degradimit. Në këtë kuptim, garantimi i dinjitetit human të çdo të paraburgosuri apo të dënuari duhet të jetë prioriteti kryesor për çdo drejtor burgu. Për më tepër, bashkë ndajmë të njëtin mendim, se privimi nga liria nuk do të thotë privim nga të drejtat e tjera të njeriut. Gjithashtu, biem dakord se problemet me të cilat përballet ky sistem janë nga më komplekset, prandaj mbështetjen tuaj e vlerësojmë shumë. Por kjo mbeshtetje duhet orientuar aty ku duhet, në mënyrë që të kemi një produkt të prekshëm dhe të matshëm të projekteve tuaja.“- u shpreh Zoto.

Avokati i Popullit në fjalën e tij theksoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në ofrimin e standardeve më të larta të shërbimeve në burgje përmes trajnimit të stafit dhe ekspertizës në fushën e zbatimit të të drejtave të njeriut. 

“Dënimi ka evoluar në kohë. Dikur ishte një mënyrë për të shpaguar dikë që kryente një aktivitet jo në përputhje me ligjin, ndërsa sot ky element ‘hakmarrës’ është pothuajse zero. Sot  dënimi në vendet demokratike ka si qëllim rehabilitimin e personave në konflikt me ligjin. Për këtë është e nevojshme që sistemi i burgjeve në vendin tonë të ofrojë dy elementë: infrastrukturën dhe shërbimet, në mënyrë që këta njerëz të shfrytëzojnë atë ambjent të mbyllur për tu rikthyer më pas në shoqëri dhe për të qenë aktivë. Ndonjëherë ndodh, në vende si tonat, që burimet financiare janë të reduktuara dhe nuk e sigurojnë këtë aspekt të dënimit, por puna e infrastrukturës nuk varet nga ju si Drejtori e Përgjithshme e Burgjeve, por varet nga mundësitë financiare të shtetit shqiptar. Ajo që varet nga ju është pjesa e shërbimeve, që ndikon drejtpërdrejtë në rehabilitimin e personave në konflikt me ligjin. Duke qenë se ka mangësi qoftë në fonde, qoftë në shërbimet sociale, ne e kuptojmë vështirësinë tuaj në këtë drejtim. Pikërisht, një rol shumë të madh në shërbimet e burgjeve mund të kenë organizatat. Shoqëria civile është në njëfarë mënyre një ‘gardian i mirë’ i stafit në mënaxhimin e mirë të punës në burgje.”- shprehu ndër të tjera z. Totozani.

Në vijim të fjalëve përshëndetëse, edhe z. Robert Wilton, Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u shpreh se gjatë viteve të fundit mbrojtja e të drejtave të personave të privuar nga liria në Shqipëri është përmirësuar dukshëm, një rol ky që i takon shoqërisë civile. Sipas tij, ajo mund të japë kontribut për forcimin e transparencës, bashkëpunimit dhe partneritetit, duke rritur standardet e trajtimit të personave në konflikt me ligjin.

“Rehabilitimi i të dënuarve është detyrë që i përket të gjithë shoqërisë, nuk mund të kryhet vetëm nga administrata e burgjeve. Përfshirja e shoqërisë civile ndihmon rehabilitimin social të të dënuarve, veçanërisht duke qenë se trajtimi i tyre nuk duhet të synojë përjashtimin e tyre nga komuniteti, por rolin e vazhdueshëm të tyre në komunitet. Kontributi i të gjithë institucioneve përkatëse duhet të koordinohet dhe administrohet në mënyrë që puna për përgatitjen për lirim të jetë e suksesshme. Pa një administrim të tillë të çështjeve, ndryshimet pozitive dhe arritjet gjatë burgimit mund të zbehen pas lirimit të personit. Prandaj, është e rëndësishme që Drejtoria e Burgjeve dhe Drejtoria e Shërbimit të Provës, si dhe shoqëria civile, të ndërmarrin hapa për rikthimin gradual dhe të miradministruar të të dënuarit në shoqëri.”- theksoi z. Wilton.

Ndërsa më tej, eksperti i burgjeve nga Britania e Madhe, z. Greg Riley- Smith, prezantoi për të pranishmit një material, i cili referonte mënyrat e bashkëpunimit të sistemit britanik të burgjeve me shoqërinë civile. Sipas tij, mënyra më efikase është ajo kontraktuale mes palëve, e cila garanton që ajo çka kërkohet nga DPB dhe ajo çka ofrohet nga organizatat të ketë përputhshmëri dhe vijimësi. E rëndësishme, sipas tij, është që çdo projekt që implementohet në burgje të bëjë të mundur uljen e risqeve, që sipas tij janë universale për target- grupin e të burgosurve dhe që kanë të bëjnë me faktorët që çojnë në kryerjen e veprave penale apo edhe recidivizmin (përsëritjen). Prezantimi i z. Riley-Smith solli reagime pozitive nga të pranishmit, të cilët në diskutime e referuan këtë mënyrë si shumë të nevojshme, pasi sistemi i burgjeve në Shqipëri nuk ka nevojë vetëm për projekte trajnuese për stafet apo studime, por edhe për ndërhyrje që sjellin rezultate konkrete në uljen e kriminalitetit. Në këtë llogjikë, edhe z. Zoto i ftoi organizatat që të japin më tej sugjerime se si do të vendoset kjo formë bashkëpunimi në përputhje me kërkesat e realitetit shqiptar.

Tryeza vijoi me diskutime nga të pranishmit, ku u ngritën edhe disa çështje delikate dhe që ende nuk kanë marrë zgjidhje, siç është problemi i vendosjes në burgje të personave me probleme të shëndetit mendor në kundërshtim me ligjin; problemet e zvarritjes së gjyqeve të minorenëve, gjë që shton kohën e qëndrimit të tyre në paraburgim dhe që ka një impakt në zhvillimin e tyre psiko- social; sfidat që lidhen me rehabilitimin e kategorive të ndryshme të të burgosurve etj.