Prezantohet Drejtori i Policisë së Burgjeve

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto prezantuan në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë pasditen e sotme Drejtorin e ri të Policisë së Burgjeve, z. Petrit Koshaj. Në prani të drejtorëve të disa IEVPenale, përgjegjësave të sigurisë dhe sektorëve të kujdesit social, si dhe përfaqësuesve kryesorë të Drejtorisë së Përgjithshme, u bë i njohur kreu i ri i Policisë së Burgjeve.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit, Ministri theksoi se etika profesionale dhe standardizimi i punës që e karakterizojnë drejtorin Koshaj, do të jenë një vlerë e shtuar dhe garanci në detyrën e re që atij po i besohej.

“Jam këtu sot për  të prezantuar kreun e ri të policisë së burgjeve, z. Petrit Koshaj, i cili ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit me forcat e ndërhyrjes së shpejtë, më pas në krye të Drejtorisë së Shoqërimit të Personaliteteve pranë Gardës së Republikës. E kam përzgjedhur qëllimisht Petritin për të dhënë edhe njëherë mesazhin, se në administratën e burgjeve nuk kanë punë partitë politike apo deputetët. Do ta përsëris për të disatën herë, derisa të bindet edhe skeptiku më i fundit në këtë vend, që administrata e burgjeve është pjesë e sigurisë kombëtare të këtij vendi. Nuk ka shaka me sigurinë kombëtare. Jam këtu për të garantuar që ligji do zbatohet. Ju e dini që në kushtet e një vakumi legjislativ, të pakuptueshëm deri më sot, kam firmosur nismën që do të shkojë edhe në Parlament, për të rregulluar të gjitha këto situata. Ndërsa sikurse e dini, kam firmosur më parë edhe urdhrin për të gjitha kriteret e rekrutimit për personelin e sigurisë së burgjeve, pikërisht për t’iu përgjigjur standardeve të sigurisë kombëtare. Ne jemi këtu për tu shërbyer njerëzve, që kanë një mori të drejtash dhe sigurisht edhe ne kemi detyrimin për të shërbyer. E kam falenderuar paraprakisht z. Koshaj dhe jam konsultuar edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, që bashkarisht të ndërtojmë një ekip drejtues profesional. Ne do t’i zbatojmë të gjitha ato standarde që kemi vendosur, cilado qoftë kostoja. Të dy drejtorëve u kam kërkuar që të ngrejnë Komisionet e Verifikimit, e Testimit dhe Vlerësimit të çdo punonjësi në raport me mundësitë dhe aftësitë që ka për ta kryer këtë gjë.“- theksoi ndër të tjera Ministri Manjani, ndërsa falenderoi z. Koshaj për pranimin e ftesës për të punuar në sistemin e burgjeve.

Ndërsa Drejtori i sapoemëruar i Policisë së Burgjeve falenderoi Ministrin për prezantimin, i cili tregon angazhimin personal të tij në mbështetjen e strukturave të ndryshme të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

“Jam koshient për vështirësitë e këtij misioni, pavarësisht se ju me dashamirësi thatë se ka cilësi që mund ta çojnë punën përpara. Edhe unë besoj se me punë, me mbështetjen e gjithë kolegëve, do të realizojmë të gjitha objektivat që na janë caktuar.”- tha në fjalën e tij z. Koshaj.

Më tej, aktiviteti vijoi me një mbledhje pune të Ministrit të Drejtësisë dhe përfaqësuesve të DPB që ishin të pranishëm.

 

CV Petrit Koshaj

Z. Petrit Koshaj ka kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas, ka studiuar pranë Akademisë Ushtarake, dega Zbulim. Është trajnuar në fushën e policisë, si për luftën kundër terrorizmit në USA dhe në Rumani, për shërbimet e policisë dhe VIP Protection në Izrael dhe Angli etj.

Pas viteve ’90 ka punuar në Ministrinë e Brendshme me detyra të ndryshme dhe si pjesë e Forcave Speciale Renea. Në vitin 1998 ka mbajtur detyra të ndryshme pranë Drejtorisë së Shoqërimit të Personaliteteve, deri edhe drejtimin e këtij institucioni së fundmi. Ai ka një eksperiencë prej më shumë se 25 vitesh në struktura të ndryshme të policisë së shtetit.

Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe disa gjuhë të tjera.

Z. Koshaj është 53 vjeç, ka lindur në Vlorë dhe banon në Tiranë.

 

17.12.2015