Amnistia, Ministri Manjani uron të liruarit në burgun e Fierit

Amnistia, Ministri Manjani uron të liruarit në burgun e Fierit

Rreth 900 të dënuar përfituan nga aplikimi i Ligjit të Amnistisë, nga të cilët 23 gra, 7 të mitur dhe pjesa tjetër burra, të cilëve u kishin mbetur më pak se dy vjet dënim për të vuajtur. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto ishin sot të pranishëm në IEVP Fier për të uruar nga afër të dënuarit e sapoliruar, të cilët e pritën me entuziazëm këtë Amnisti.

“Qytetarë të Republikës së Shqipërisë, mirëmëngjes në këtë mëngjes të fundit në këtë institucion për ju. Që nga ky moment ju uroj liri të mbarë, punë të mbarë në familjet tuaja, ta shijoni, se jam i sigurtë se më shumë se ju askush tjetër nuk ia di vlerën lirisë. Republika e Shqipërisë ka vendosur që sot, në këtë orë, të aplikojë amnisti për ju dhe për të gjithë të tjerët që janë në statusin tuaj ligjor, me qëllim që ju t’i bashkoheni familjeve tuaja. Mos u takofshim më këtu! Le të takohemi si qytetarë të lirë, të denjë, për t’i shërbyer atdheut tonë të përbashkët me të gjitha mundësitë që ne kemi. Shoqëria shqiptare, familjet tuaja, ekonomia shqiptare ka nevojë për kontributin e çdo qytetari të republikës. Ne jemi të bindur që në ditën kur e kemi marrë këtë nismë ligjvënëse, kur Parlamenti e miratoi dhe sot sapo ka hyrë në fuqi dhe jo pa qëllim vendosëm të komunikojmë me ju në këtë orë. Jemi të bndur se kontributi juaj është i domosdoshëm në përmirësimin e jetës së familjeve tuaja, tuajën personalisht dhe të Shqipërisë sonë të përbashkët. Liri të mbarë dhe mirëutakofshim si qytetarë të lirë!”- u shpreh Ministri në fjalën e tij përpara 220 të dënuarve që përfituan amnistinë në burgun e Fierit.

Më pas, Ministri Manjani u takua nga afër me të dënuarit, të cilët e falenderuan atë dhe qeverinë shqiptare për miratimin e Ligjit të Amnistisë, duke u shprehur se kanë besim tek drejtësia. Në vijim të aktivitetit, Manjani takoi edhe familjarët e të burgosurve, të cilët prej orëve të para të mëngjesit prisnin jashtë institucionit të dashurit e tyre që po riktheheshin në shtëpi tashmë të lirë. Ata gjithashtu, i shprehën Ministrit falenderime për këtë mundësi që po u jepej të afërmve të tyre që vuanin dënimin prej disa vitesh. Në IEVP Fier janë të akomoduar 827 të burgosur, nga të cilët 655 të dënuar dhe 172 të paraburgosur.

21.01.2016