Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel

 

Historiku

Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel shtrihet në jug të qytetit. Është i vendosur në një sipërfaqe tërësisht të sheshtë rreth 21000 m2. Projektimi për ndërtimin e burgut të Burrelit ka filluar në vitin 1937. Në dhjetor të vitit 1938 u kërkua nga Ministria e Brendshme e asaj kohe, vendosja e 30 të dënuarve në këtë institucion, por kjo nuk u realizua për shkak të mos përfundimit të punimeve. Në janar të vitit 1939 u sigurua një fond prej 1000 franga ari për shtrimin me pllaka çimentoje të godinës. Në shkurt të po këtij viti filloi popullimi me të dënuar që konsideroheshin armiq të regjimit.

Gjeografia e të dënuarve që vuanin dënimin në burgun e Burrelit përfshinte pothuajse të gjitha rrethet e Shqipërisë. Një numër i konsiderueshëm vinin nga rrethi i Vlorës dhe Korçës të cilët u bënë protagonistë të arratisjes nga ky institucion në vitet 1939-1942. Gjatë kohës nën drejtimin e Ahmet Zogut, IEVP Burrel funksiononte sipas një rregulloreje që u hartua në vitin 1933.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste ku burg njihej ndryshe si industria e tmerrit apo kampi i shfarosjes. Tiparet karakteristike të trajtimit ç’njerëzor, torturave fizike dhe psikologjike deri në zhdukjen fizike të burgosurve e kanë bërë atë të njohur jo vetëm në Shqipëri por dhe në historinë e Ballkanit e më gjerë. Kategoria kryesore e të burgosurve ishin intelektualë dhe teologë që kishin studiuar në universitetet më të njohura të botës, tërësisht për bindje politike dhe fetare. Personeli i shërbimit të këtij burgu ishte i zgjedhur dhe duhet të ishin njerëz të bindur të ideologjisë komuniste. Deri në vitin 1965 mungonte shërbimi shëndetësor, vit në të cilin doli dhe një rregullore e re e burgjeve, ku lejonte pak ushqim nga familja, veshmbathje dhe ajrim dy orë në ditë.

Pas viteve ’90, trajtimi i u krijuan hapësira të nevojshme për trajtimin me dinjitet të personave me liri të kufizuar. Të dënuarve u ofruan shërbime të specializuara dhe të kualifikuara duke pasur si qëllim trajtimin human dhe me personalitet e jo diskriminues.

Krahasuar me vitet e mëparshme janë bërë përmirësime të dukshme lidhur me kushtet e jetesës për të dënuarit, veçanërisht pas rikonstruksionit të seksionit të sigurisë së zakonshme në vitin 2006.

Në bazë të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, IEVP Burrel kategorizohet burg i sigurisë së lartë, me një seksion të sigurisë së zakonshme dhe një seksion paraburgimi. Kapacitetet aktuale të burgut janë për 198 persona.

Drejtuesi aktual i IEVP Burrel është z. Nezir Sinani.

Orari i Vizitave

Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të premte ora 08:00 –15:00. Numri i vizitave të lejuara në muaj është 4.

Aktivitetet

Bisedat me tema sociale e edukative, lojërat e tavolinës, kampionate të ndryshme sportive, kurse të ndryshme kompjuteri janë disa nga aktivitetet kryesore që organizohen në këtë institucion. Çdo të dënuari i krijohen kushte për të nxitur mendimin e tij krijues, nga krijimtaritë letrare deri tek prurjet artistike. I dënuari gëzon të drejtën e praktikimit të besimit fetar si dhe studimit të literaturës fetare.

Shërbimet që Ofrohen

Në IEVP Burrel ofrohen për të dënuarit shërbime të ndryshme si shërbimi mjekësor, shërbimi psiko-social dhe edukativ, punësimi sipas kushteve të institucionit, arsimimi 9-vjeçar, korrespondencat me avokatët, familjarët dhe Avokatin e Popullit, asistencë ligjore, etj.

Adresa dhe Numrat e Kontaktit

Adresa: Lagjja “Pjetër Budi”, pranë Komisariatit të Policisë së Rrethit Mat, Burrel

Numra kontakti: 021722306, 0686056004 
Email: burguburrel@gmail.com





  • Rreth Nesh

    Krijimin e kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke siguruar që të gjitha organet e zbatimit...Lexo me shume

  • Kontakti

    Adresa: Rr "Abdi Toptani"
    (pranë Torre Drin), Tiranë
    Tel: 00 355 4 2254544 / 162
    Fax: 00 355 4 22 82 92
    Informacioni 0686056000
    E-mail: info@dpbsh.gov.al