Projektligji për Trajtimin Suplementar

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I MINISTRAVE
P r o j e k t
LIGJ
Nr.____, datë___.___.2008
PËR SIGURIMIN SHOQËROR SUPLEMENTAR, TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË BURGJEVE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, 

K U V E N D I
I
REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË 

V E N D O S I:

 

KREU  I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për sigurimin shoqëror suplementar  të punonjësve të Policisë së Burgjeve  dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre.

Neni 2
Subjektet 

Të drejtën e  përfitimit të sigurimit shoqëror suplementar sipas këtij ligji  e kanë:

  1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve në detyrë;
  2. Ish-punonjësit  e Policisë së Burgjeve që trajtohen me pagesë kalimtare apo pension.

Neni 3
Kontributi

  1. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, paguajnë një kontribut për sigurimin shoqëror suplementar, në masën 2% të pagës bruto.
  2. Kontributet paguhen çdo muaj në Fondin e Sigurimit Shoqëror Suplementar të punonjësve, por jo më vonë se fundi i muajit pasardhës.
  3. Shpenzimet për përfitimet sipas këtij ligji, financohen nga kontributet për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe nga Buxheti i Shtetit.
  4. Financimi nga Buxheti i Shtetit është i barabartë me diferencën ndërmjet shpenzimeve për zbatimin e këtij ligji dhe të ardhurave të siguruara nga kontributet që paguajnë punonjësit e policisë së burgjeve. 

Neni 4
Përfitimet

Punonjësit e Policisë së Burgjeve kanë të drejtën e përfitimeve që rrjedhin nga sigurimi  shoqëror suplementare për: 

  1. paaftësi të përkohshme në punë;
  2. kompensim shpenzimesh për dëmtime shëndetësore;
  3. kompensim shpenzimesh për dëmtime trupore;
  4. pagesë kalimtare;
  5. pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;
  6. pension suplementar pleqërie;
  7. pension suplementar invaliditeti;
  8. pension suplementar familjar;
  9. kompensim për shpenzime në rast vdekje dhe ndihme të menjëhershme;

Neni 5
Kushtet e përfitimit
E drejta e përftimeve që rrjedhin nga sigurimi  shoqëror suplementar varet nga : 

  1. Koha e shërbimit si punonjës i Policisë se Burgjeve;
  2. periudha e njohur si ushtarak i shërbimit aktiv, ne Forcat e Armatosura të RSH;
  3. periudha e njohur si punonjës i Policisë se Shtetit;
  4. periudha e ndërprerjes së karrierës për shkak të një vendimi të padrejtë;
  5. gjysma e periudhës se kaluar si punonjës ne sektorë të tjerë, jashtë strukturave të Policisë së Burgjeve, para fillimit të karrierës në Policinë e Burgjeve. 

Në çdo rast, periudha gjashtë muaj e një ditë quhet vit i plotë. 

2. Paga referuese për efekt të llogaritjes së përfitimit, është paga bazë dhe shtesat mbi pagën bazë për kushte të tjera të veçanta të vendit të punës e të shërbimit, në çastin kur punonjësit të Policisë së Burgjeve i lind e drejta e përftimit. 

KREU II
PËRFITIMET SUPLEMENTARE 

Neni 6
Paaftësia e përkohshme në pune

1. Punonjësi i Policisë se Burgjeve, përfiton të ardhura për sëmundje deri në 14 ditët e para kalendarike, kur vërtetohet, me raport mjekësor, se është përkohësisht i paaftë  për pune. Shuma e të ardhurave është 100% e të ardhurave të pagës mesatare ditore. 
2. Kur punonjësi i Policisë së Burgjeve, vazhdon të jetë i paaftë  për punë, mbi ditën e 14-të, merr përfitime suplementare, që llogariten mbi pagën mesatare ditore, të përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit, në masën: 

  • 20 %  nga dita e pesëmbëdhjete e paaftësisë e ne vazhdim;
  • 80 % për periudhën e qëndrimit në spital; 

3. Paaftësia e përkohshme mbi katërmbëdhjetë ditë, përcaktohet nga komisioni mjekësor përkatës dhe zgjat deri në tetëmbëdhjetë muaj, për rastet kur paaftësia është rrjedhojë e një aksidenti në punë, për shkak të detyrës ose të sëmundjes profesionale, dhe deri në dymbëdhjetë muaj për rastet e tjera. 
4. Në rastet kur komisioni mjekësor përcakton se punonjësi nuk mund të riaftësohet për punë e  shërbim, përfitimi ndërpritet me caktimin e pensionit të invaliditetit. 

Neni 7
Kompensim shpenzimesh për dëmtime shëndetësore 

  1. Shpenzimet  për trajtimin e punonjësit të Policisë së Burgjeve, që ka pësuar një dëmtim shëndetësor, për rikthimin e aftësive të humbura, përballohen nga Buxheti i Shtetit.
  2. Masa dhe kriteret për përfitim përcaktohen me vendim të  Këshillit të Ministrave. 

Neni 8
Kompensim shpenzimesh për dëmtime trupore 

1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, në rastet e plagosjes a të dëmtimeve të tjera trupore, përfiton kompensim deri në  masën 100 %, për të gjitha llojet e shpenzimeve të kryera në institucionet shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit.
2. Masa dhe kriteret për përfitim përcaktohen me vendim të  Këshillit të Ministrave. 

Neni  9
Pagesa kalimtare 

  1. Punonjësit të Policisë së Burgjeve, që ndërpret marrëdhëniet e punës për shkak të shkurtimit të funksionit   për arsye të ristrukturimit  dhe që ka jo më pak se 12  muaj shërbim, përfiton pagesë kalimtare.
  2. Pagesa kalimtare jepet në masën 50 % të pagës mujore të muajit të fundit të shërbimit. 
  3. Punonjësi i Policisë së Burgjeve përfiton pagesë kalimtare derisa  t'i ofrohet një vend tjetër pune,  për t'u rikthyer në shërbim ose në struktura të tjera shtetërore por jo më shumë se  tre vjet.

Neni 10
Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi

Punonjësi i Policisë së Burgjeve që ndërpret karrierën përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri ne plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar, kur plotëson këto kushte:

  1. të kenë arritur moshën 47 vjeç dhe të kenë plotësuar vjetërsi në shërbim 15 vjet, për meshkujt;
  2. të kenë arritur moshën 42 vjeç dhe të kenë plotësuar vjetërsi në shërbim 12 vjet, për femrat.

Neni 11
Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi 

1.   Masa e pensionit te parakohshëm për vjetërsi shërbimi është  50 % e pagës referuese. Për çdo vit tjetër vjetërsie në shërbim, mbi kufirin e përcaktuar në  pikat 1 dhe 2 të nenit 10, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese. 

2.   Shuma e përfitimit te llogaritur sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, nuk mund të jetë  më e madhe se 70 % e pagës referuese. Për efekt te llogaritjes së shtesës, periudha mbi 6 muaj, njihet vit i plote. 

3.    Në rastet kur punonjësi i Policisë së Burgjeve trajtohet me pagesë kalimtare, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, jepet pas përfundimit të kësaj periudhe. 

4.    Periudha, gjatë së cilës punonjësi përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për përfitim të pensionit të pleqërisë, invaliditeti e familjar, sipas pikës dy të nenit 58 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë".

Neni 12
Pension suplementar pleqërie

  1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që plotëson kushtet për pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, gëzon të drejtën  për pension suplementar pleqërie.
  2. Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 % të pensionit të plotë të pleqërisë, kur punonjësi ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt.  
  3. Për çdo vit të vjetërsisë në shërbim mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit te pleqërisë shtohet me 2 % te pensionit të plote të pleqërisë.
  4. Pensioni suplementar i pleqërisë, në çdo rast nuk mund te jetë më i madh se 70 % e pensionit të plotë të pleqërisë.
  5. Punonjësi i Policisë se Burgjeve, me vjetërsi ne shërbim me pak se 12 vjet për gratë e 15 vjet për burrat, për çdo vit shërbimi, përfiton pension suplementar në masën 2 % të pensionit të plotë të pleqërisë.

Neni 13
Pension suplementar invaliditeti
1. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që plotëson kushtet për pension invaliditeti, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e  Shqipërisë", të ndryshuar, gëzon të drejtën e pensionit suplementar te invaliditetit, të llogaritur në masën 1% mbi pagën referuese, për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 % të pensionit  të plotë invaliditetit,
2. Kur invaliditeti shkaktohet gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit të plotë është sa diferenca ndërmjet pagës referuese dhe masës së pensionit të llogaritur sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar.
3.  Kur invaliditeti është i pjesshëm, masa e pensionit suplementar te invaliditetit është 50 % e diferencës ndërmjet pagës referuese dhe masës se pensionit te llogaritur sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar.

Neni 14
Pensioni suplementar familjar

1. Personat që janë në ngarkim të  punonjësit të  Policisë së Burgjeve, që vdes dhe që përfitojnë pension familjar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", gëzojnë te drejtën e përfitimit te pensionit suplementar familjar.
2. Masa e përftimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në masën 50 %,  për bashkëshortin/en,  i/e ve  dhe 25 % çdo jetim ose person tjetër përfitues, por kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se 100 % e pensionit suplementar që merrte apo i takonte të ndjerit.
3. Masa e përftimit të pensionit suplementar familjar  për punonjësit e Policisë së Burgjeve që humbasin jetën për shkak të detyrës, llogaritet në masën 100 të pagës referuese, shtesë mbi pensionin familjar. 

Neni 15
Ndihma e menjëhershme

Çdo paraardhës apo pasardhës dhe bashkëshorti/ja me të cilët punonjësi i Policisë se Burgjeve bashkëjetonte para vdekjes përfiton ndihmë të menjëhershme ne masën e katër pagave baze mujore, që përfitonte i ndjeri ne muajin e fundit të shërbimit.

Neni 16
Përballimi i shpenzimeve në rast vdekje

Pjesëtaret e familjes se te ndjerit ose personat e tjerë që organizojnë funeralin dhe përballojnë shpenzimet e varrimit të ish-punonjësit të Policisë së Burgjeve, aktiv, në pagese kalimtare, në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, apo që përfitonte pension suplementar sipas këtij ligji, përfitojnë shpenzime varrimi në masën e dy pagave mujore për gradën më të ulët të rolit mesëm.

KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 17
Përjashtimi nga tatimi
Përfitimet nga sigurimi shoqëror suplementar sipas këtij ligji nuk tatohen. 

Neni 18
Indeksimi i përfitimeve suplementare
Përfitimet suplementare sipas këtij ligji indeksohen sa herë indeksohen sipas indeksimit të pensioneve të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar. Masa konkrete e indeksimit përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 19
Personit, të cilit, sipas këtij ligji, për të njëjtën periudhe kohore, i lind e drejta për më shumë se një përfitim, ka të drejtë të zgjedhë përfitimin më të favorshëm.

Neni 20
Njohja e periudhave te sigurimit
Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare, me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet dhe llogaritet si periudhe sigurimi për efekt pensioni pleqërie dhe invaliditeti, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.

Neni 21
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerre aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, 8, dhe 18  të këtij ligji.

Neni 22
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KREYTARI
Jozefina TOPALLI