Programi i Transparencës i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

I. HYRJE

Në zbatim të nenit 7 të ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” me urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm u ngrit grupi i punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve (DPB) për hartimin e programit të transparencës.

Bazuar në parashikimet ligjore të ligjit Nr. 119/2014, DPB ka përgatitur programin e transparencës. Informacioni i bërë publik në programin e transparencës nëpërmjet pasqyrimit të detajuar në faqen zyrtare online të DPB-së, www.dpbsh.gov.al, si dhe në zyrën e pritjes së qytetarëve, synon krijimin e një sistemi të hapur për marrjen e informacionit dhe të dhënave që administron Sistemi i Burgjeve, në përputhje me parashikimet ligjore.

Transparenca për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve është përkthyer në termat e dyerve të hapura për informacion, takime me grupet e interesit, marrëdhënie efiçente dhe dobiprurëse me publikun, website me informacion të azhurnuar në kohë reale, publikime periodike të raporteve me të dhëna mbi respektimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar.

DPB do të përditësojë periodikisht Programin e Transparencës, në përputhje me pikën 2 të nenit 5 të Ligjit “Për të drejtën e informimit”. Përmbajtja e programit përfshin rubrikën, afatet kohore për bërjen publike të tij, strukturën përkatëse që prodhon dhe administron dokumentin, menutë ku adresohet dokumenti në faqen zyrtare në internet. Rubrikat, informacionet dhe të dhënat e publikuara në programin e transparencës janë në përputhje me Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008,ndryshuar me ligjin nr. 48/2012, ndryshuar me ligjin nr. 120/2014 “Për mbrojtjen të dhënave personale”, si dhe Rregulloren për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Sigurinë e tyre në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale.

 

II. PARIME TË PËRGJITHSHME

Programi Transparencës i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bazohet në parimet e mbështetura në këto akte ligjore dhe nënligjore:


1. “E drejta për informim” është e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj, e aksesueshme nga të gjithë pa asnjë përjashtim.

2. Duke mbajtur në konsideratë që DPB është institucion publik, për rrjedhojë informacioni buron nga veprimtaria e tij publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Zbatimi korrekt i ligjit dhe dispozitave ligjore dhe akteve nënligjore që rregullojnë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

§  Ligji nr. 8328, datë 16.04.1998, “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe Paraburgosurve”, i ndryshuar;

§  Ligji nr. 10032,datë 11.12.2008 “Për Policinë e Burgjeve”, i ndryshuar;

§  Ligji nr. 8331, datë 21.04.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar; Kodi i Drejtësisë për të Mitur, miratuar me Ligjin nr. 37/2017.

§  Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve e miratuar me VKM nr. 437, datë 20.05.2015, e ndryshuar;

§  Urdhri nr. 58, datë 24.04.2017, i Kryeministrit “Për miratimin e strukturës dhe të organikes së DPB dhe sistemit të institucioneve ne vartësi te saj”;

§  Urdhri nr. 3052/1, date 25.05.2005, i Ministrit te Drejtësisë, “Për miratimin e rregullave te sjelljes për punonjësit e sistemit të paraburgimit dhe te burgjeve”; Urdhër nr. 3125/1, date 04.09.2009, i Ministrit te Drejtësisë, “ Për miratimin e rregullores për caktimin e rregullave  dhe procedurave për marrëdhëniet e punës, trajtimin e ecurisë ne karriere dhe dhënien e masave disiplinore për punonjësit e policisë së burgjeve”;

§  Urdhër nr. 5251/2, datë 30.07.2010, i Ministrit të Drejtësisë,”Për rregullat e hollësishme të sjelljes së punonjësve të policisë së burgjeve”;

§  Urdhër nr. 7375, datë 24.11.2015, i Ministrit të Drejtësisë, “Mbi procedurën e kandidimit të kandidatëve për punonjës ne policinë e burgjeve.

4. Informacioni përshtatet në gjuhë të qartë e të kuptueshme.

5. Organ mbikëqyrës i procedurave të informimit publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

6. Rishikimi i programit të transparencës bëhet sipas së njëjtës procedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.

7. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë:

  • i plotë;
  • i saktë;
  • i përditësuar;
  • i thjeshtë në konsultim;
  • i kuptueshëm;
  • lehtësisht i aksesueshëm;
  • i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të autoritetit publik.

 

III. INFORMACIONI QË BËHET PUBLIK PA KËRKESË

Informacioni i lejuar për publikim është shprehimisht i parashikuar në nenin 7 të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, DPB vendos në dispozicion të publikut në faqen e internetit www.dpbsh.gov.al dhe në zyrën e pritjes së qytetarëve, kategoritë e mëposhtme të informacionit:

  • Strukturën organizative të DPB-së;
  • Tekstet e plota të ligjeve, akteve nënligjore, kodeve të sjelljes, dokumenteve të politikave institucionale, manualit ose ndonjë dokumenti tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të tij dhe që prek publikun e gjerë;
  • Informacionin për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ankimit;
  • Të dhënat për vendndodhjen e zyrave të DPB-së, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e personit për të drejtën e informimit dhe administrimin e kërkesë/ankesave;
  • Të dhënat për titullarin e institucionit, eksperiencën profesionale, jetëshkrimin;
  • Të dhënat për buxhetin dhe realizimin e tij;
  • Informacionin për realizimin e procedurave të prokurimit, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.12.2006, “Për prokurimin publik”;
  • Informacionin për shërbimet që DPB i ofron publikut, përfshirë mënyrën e marrjes së shërbimit;
  • Informacion mbi të dhëna statistikore mbi gjendjen dhe përbërjen e personave të dënuar dhe të paraburgosur në çdo institucion, përfshirë ndarjen sipas grupmoshave, veprat penale dhe kohëzgjatjen e dënimit;
  • Aktet që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, që kanë efekt të drejtpërdrejtë tek ata, bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit, brenda 48 orëve prej miratimit të aktit nga DPB;
  • Informacioni i publikuar sipas kësaj skeme përditësohet sa herë ai ndryshon. 

Gjithashtu, DPB krijon dhe arkivon një kopje dixhitale të faqes zyrtare të tij në internet, të plotësuar me informacionin që kërkohet në programin e miratuar të transparencës, si dhe për metodat, mekanizmat dhe periodicitetin e publikimit të informacioneve publike, të cilat vihen në dispozicion të publikut pa kërkesë;

 

V. PUBLIKIMI

Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, DPB vendos në dispozicion të publikut në faqen e tij të internetit www.dpbsh.gov.al dhe në zyrën e pritjes së qytetarëve kategoritë e mësipërme, në një menu të veçantë të titulluar “Programi i Transparencës”.

 

VI. MONITORIMI

Komisioneri për të Drejtën e  Informimit dhe Mbrojtjen e  të Dhënave Personale monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, duke nxitur parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit.

Komisioneri bën rekomandime për autoritetet publike, lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës.




   Programi i Transparencës për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve