Njoftim për Shtyp

Njoftim për Shtyp

Kemi ndjekur me shqetësim të gjitha lajmet e përcjella nga disa media elektronike apo statuse dashakeqëse në rrjetet sociale, ku pasqyrohej në mënyrë të rremë për raste të burgosurish që mund të jenë prekur me virusin “COVID-19”, konkretisht në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Reç.

Këto lajme nuk kanë asnjë të vërtetë dhe janë shpifja e radhës, dhe për fat të keq jemi të detyruar që krahas vijimit të punës sonë intensive për të marrë të gjitha masat e duhura dhe për të garantuar shëndet të plotë të të gjithë të burgosurve, paraburgosurve dhe stafeve përkatëse që shërbejnë, të ndjekim dhe lajme të tilla që kanë si qëllim ngjalljen e panikut te publiku.

Por për të qënë transparent me publikun, informojmë dhe sigurojmë, se deri më tani, në IEVP-në Reç, ashtu si dhe në të gjitha IEVP-të e tjera në të gjithë vendin, nuk ka asnjë person që të ketë shfaqur shenja të virusit “Covid-19”.

Dje në mbremje, në IEVP Reç, Shkodër, ka patur disa pretendime për kushte jo të mira në institucion nga disa persona të cilët nuk janë të dënuar me vendim gjykate, por persona që janë në sektorin e paraburgimit dhe që po hetohen për vepra penale të krimit të organizuar.

Pavarësisht kësaj, grupi i gatshëm i shëndetësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si pjesë e Task forcës të ngritur tashmë me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, ka reaguar menjëherë duke kryer kontrollin e nevojshëm shëndetësor të gjithë personave të paraburgosur në këtë sektor dhe në përfundim nuk ka rezultuar asnjë person me shënja të virusit “Covid-19”.

Në respekt të transparencës me publikun sqarojmë se në vlerësim të situatës në të cilën ndodhemi, me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë janë marrë një sërë masash të shtuara mjekësore dhe në aspekt të sigurisë për të parandaluar dhe frenuar virusin “Covid-19” në 24 institucionet.

Duke pasur primare sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit të të gjithë të dënuarve, të paraburgosurve si dhe personelit që punon në IEVP-të përkatëse, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zbatuar dhe është në ndjekje të vazhdueshme të të gjitha urdhërave dhe udhezimeve të Ministrit të Drejtësisë si dhe në zbatim të Protokollit shtesë të shëndetësisë të miratuar.

Të 24 institucionet penitenciare janë dezinfektuar dhe në të gjitha ambjentet e brendshme po ndiqet një protokoll i rreptë lidhur me higjenizimin dhe higjenën personale të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Të gjithë punonjësit e policisë së burgjeve kontrollohen nga ekipi shëndetësor përpara se të fillojnë detyrën si dhe pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse si maska, doreza, higjenizues, etj. Të gjitha institucionet janë furnizuar me pajisjet e duhura mbrojtëse dhe medikamentet kryesore në përputhje me protokollet shtesë dhe ka një ndjekje dhe kontroll rigoroz nga ekipi shëndetësor i Task forcës së MD.

Gjithashtu në të gjithë sektorët e regjimit të brendshëm janë vendosur mjete higjenizuese dhe në asnjë prej institucioneve nuk ka mungesë të artikujve të nevojshëm.

Të gjithë të dënuarit ose të paraburgosurit që hyjnë për herë të parë në sistemin e burgjeve, në bazë të urdhërit të Ministrit të Drejtësisë, kontrollohen nga komisioni i pritjes i cili përveç rregullave të parashikuar në ligj, verifikon gjendjen shëndetësore të tyre, historikun e takimeve apo lëvizjeve të tyre. Për këtë kategori personash pas kontrollit dhe vlerësimit, do të bëhet vendosja tyre në ambjentet e observimit për 14 ditë (kohë e njëjtë me kohëzgjatjen e karantinimit të sugjeruar për “Covid -19). 

Gjithashtu janë evidentuar të gjithë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike dhe po ushtrohet një vëmendje të shtuar me masa shtesë shëndetësore, duke i monitoruar ata në mënyrë periodike gjatë ditës për cdo shqetësim të paraqitur.

Pranë të gjitha institucioneve, psikologët dhe punonjësit social, po vazhdojnë të kryejnë seanca informuese me të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit, me qëllim për t’i informuar rreth virusit “Covid 19” dhe masat që duhen të zbatohen nga secili prej tyre. Gjithashtu, broshura informuese, janë afishuar në çdo sektor të regjimit të brendshëm dhe në ambjentet e banimit. 

Ndërkohë, për një zbatim sa më të efektshëm të urdhërit të Ministrisë së Drejtësisë, Task Forca e Ministrisë së Drejtësisë së bashku me DPB ka ngritur grupe kontrolli të cilat po inspektojnë vazhdimisht të gjitha institucionet, me qëllim zbatimin me rigorozitet të të gjitha masave në mbrojtjen e shëndetit të personave. 

Nga ana tjetër, me qëllim vijimin e komunikimit të të dënuarve me të afërmit e tyre, janë instaluar pajisjet e posaçme për të vijuar me një komunikim alternativ kontakti si: Shtimi i sasisë së minutave të komunikimit telefonik dhe tashmë me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë ka përfunduar instalimi dhe lidhja e kompjuterave në 24 institucionet të cilët mundësojnë komunikimin përmes platformës “Skype”. (për herë të parë në Shqipëri).

Gjatë këtyre ditëve janë kryer komunikimet e para dhe falënderojmë të gjithë familjarët që na kanë mbështetur në këtë kufizim me të dashurit e tyre, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të burgosurve dhe të gjithë stafit të burgjeve. 

Nisur nga situata e krijuar, apelojmë për me shumë përgjegjshmëri sa i përket përcjelljes së informacioneve mediatike, ku publikimi i lajmeve tendencioze, të rreme apo që deformojnë situatën, mund të rëndojë gjendjen emocionale të të burgosurve dhe të afërmve të tyre.

13.3.2020