•  
  • Harta e Burgjeve

    Strategjia Kombëtare e Burgjeve

    Hyrje
     

    Strategjia Kombëtare e Burgjeve për vitin 2008-2013, pasqyron hapat konkretë që DPB-ve do të ndërmarrë për të përmirësuar situatën e burgjeve dhe paraburgimeve si dhe përpjekjet për t’u afruar standardeve evropiane.

     

    Plane pune vjetore do të hartohen për të zbatuar Strategjinë e Zhvillimit, që përcakton detyrat specifike për të arritur qëllimet e përcaktuara në Strategjinë e Zhvillimit së bashku me afatet kohore të sakta, personat përgjegjës dhe burimet financiare të akorduara. Strategjia e Zhvillimit do të shoqërohet me një plan financiar ku do të përcaktohet shuma e kostove të nevojshme për të arritur qëllimet. Plani financiar do të merret si bazë në përputhje me mundësitë e buxhetit të shtetit.

     

    Vizioni

     

    Krijimi i kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke e shndërruar dënimin penal në një mundësi riedukimi bazuar në standardet evropiane. 

     

    Qëllimi

     

    Zhvillimi dhe përmirësimi i standardeve dhe trajtimit të personave me liri të kufizuar në përputhje me politikat e Qeverisë Shqiptare për sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve si dhe  përafrimi i tyre me standardet e BE-së sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

     

    Analiza e Situatës

     

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është në shërbim të gjithë shoqërisë shqiptare duke ruajtur dhe mbajtur nën vëzhgim të gjithë personat të cilëve iu është dhënë një vendim nga gjykata për shkelje ligjore të ndryshme, ose që janë në pritje të një vendimi të tillë.

     

    Detyra e saj kryesore është që të trajtojë në mënyrë sa më humane këtë kategori dhe t’i ndihmojë ata që të zbatojnë ligjin në vendin e vuajtjes së dënimit me qëllim rehabilitimin e tyre dhe integrimin në shoqëri.

     

    Gjithsej në vendin tonë janë 20 institucione të ekzekutimeve të vendimeve penale, me një kapacitet për 4340 persona.

     

     

     

    Arritjet Kryesore

     

    Në kuadër të reformës ligjore në sistemin penitenciar, është miratuar Ligji i Policisë së Burgjeve. Ky ligj përcakton qartë detyrat dhe funksionet e policisë së burgjeve, mënyrën e organizimit si dhe strukturën e përfitimit të gradave dhe të gjitha të drejtat e tjera që burojnë nga funksioni që kryen çdo punonjës në policinë e burgjeve.

     

    Është miratuar Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, ku ndër të tjera është rregulluar marrëdhënia e punësimit të dënuarve dhe paraburgosurve.

    Është hartuar drafti përfundimtar i Projekt-Rregullores së Qendrës Spitalore të Burgjeve, Institutin e Veçantë Krujë dhe zyrës së IT. Projekt-rregulloret janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë për miratim. 

     

    Në prill të 2008, hynë në fuqi ndryshimet për ligjin"Për të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve dhe paraburgosurve”.

     

    Ministria e Drejtësisë ka përgatitur ndryshime të"Kodit Penal” dhe ligjit"Për ekzekutimin e vendimeve penale” me synim vendosjen e sistemit të provës dhe dënimit alternativ si dhe janë bërë përparime në zbatimin e Master Planit për sistemin shqiptar të paraburgimit.

     

    Në kuadër të rritjes së kapaciteteve infrastrukturore janë hapur tre institucione të reja (Vlorë,  Fushë-Krujë, Korçë), si dhe është dorëzuar dosja teknike dhe kanë përfunduar punimet e qendrës së paraburgimit në Durrës dhe Spitalit për të Sëmurët Mendor.

     

    Një ndër projektet ambicioze të vitit 2008 ka qenë ngritja e Institutit për të Mitur në Kavajë. Ky projekt është realizuar dhe pritet që të dorëzohet dosja teknike dhe të merret në dorëzim nga DPB-ja. Me urdhër të Kryeministrit nr. 150 datë 10/12/2008, është bërë miratimi i strukturave organike për institucionet e reja të sistemit të burgjeve atë të Durrësit dhe Kavajës.

     

    Kanë filluar parashikimet për burgje dhe paraburgime të reja në Shkodër dhe Fier si dhe ka filluar hartimi i projekteve për qendra të reja paraburgimi në Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës. Studioja projektuese është kontraktuar nga BE. 

     

    Gjatë 2008 u realizua me sukses zbatimi i programit CARDS 2004, në kuadër të projektit"Drejtimi Human i Burgjeve” financuar nga Komisioni Evropian me një fond prej 410 000 euro, projekt që implementohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Krahas trajnimeve të stafit që janë organizuar nga Qendra e Trajnimit të Burgjeve, janë kryer disa kurse trajnimi për stafin e policisë së burgjeve dhe atij me civil në pjesën më të madhe të institucioneve penale në vend, ku janë trajnuar afërsisht 875 punonjës.  

     

    Në bashkëpunim me KSHH, një arritje e suksesshme është dhe përfundimi i Planit të Veprimit i Qendrës së Trajnimeve të Burgjeve, i cili parashikon që sektori i trajnimeve të organizohet në nivel qendre me një staf të plotë (8 punonjës), ku do të realizojë trajnime me një shtrirje 45 ditore me punonjësit e rinj, si dhe organizimi i trajnimeve me afat të shkurtër për rritjen e profesionalizmit në sistem. Krahas Plan -Veprimit është hartuar edhe draft rregullorja e cila përcakton qëllimin e Qendrës së Trajnimeve, drejtimet e punës, procedurat e regjistrimit të kursantëve dhe të zhvillimit të procesit mësimor, mënyrat e vlerësimit, detyrimet dhe përgjegjësitë.   

     

    Për sa i përket politikave të personelit është bërë adaptimi i planit të nevojave të personelit sipas ndryshimeve organizative dhe planit të institucioneve të reja. Gjithashtu, bëhet shpallja e rekrutimit të personelit dhe të rekrutuarit i nënshtrohen një testi.

     

    Është duke u punuar që të krijohet një sistem efektiv monitorimi dhe inspektimi për burgjet. Për këtë, i është dhënë një rëndësi mjaft të veçantë rekrutimit të stafit të ri të burgjeve dhe ngritja profesionale e stafit ekzistues.

     

    Ka përfunduar përgatitja e bankës elektronike e të dhënave të burgosurve si dhe në të gjitha institucionet penitenciare është instaluar programi i kartelave.

     

    Gjatë muajit dhjetor është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për arsimimin e paraburgosurve dhe të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale sipas programeve mësimore të miratuara nga MASH. Procesi mësimor do të realizohet me kohë të plotë ose të pjesshme në një ambient të veçantë të përshtatur për dhënie mësimi pranë IEVP.

     

    Një ndër objektivat më të rëndësishme të realizuara në kuadër të MSA-së është ngritja e dhomës së reanimacionit në Qendrën Spitalore të Burgjeve në të  cilën janë instaluar aparatura mjekësore me një kosto prej 6.000.000 lekë.

     

    Fondi për ngritjen e dhomës së reanimacionit u përfitua nga buxheti i shtetit për Sistemin e Burgjeve në sektorin e shëndetësisë. Në këtë dhomë reanimacioni janë instaluar dy Panele oxigeno-terapie me një kapacitet reanimues për katër persona në të njëjtën kohë, Defrebilator Kardiak, Monitor kardiak, 2 Aparate aerozoli,  Aparat EKG-je, Aspirator si dhe një shiringë elektrike. 

     

    Për administrimin e të gjithë vlerave materiale të Armatimit e Pajisjeve të Policisë është përgatitur rregullorja për administrimin e këtyre vlerave, është përgatitur manuali me ligje dhe rregullat bazë për njohjen e armatimit dhe pajisjeve speciale, si dhe është hartuar organika materiale për kompletimin e institucioneve me armatim e pajisje policie.

     

    Institucionet e reja të Vlorës, Fushë-Krujës dhe Korçës janë kompletuar me armatim, municion, pajisje speciale si dhe pajisje të mbrojtjes nga zjarri. Po punohet që të gjitha institucionet të kompletohen me pajisje speciale sipas standardeve evropiane.

     

    Problemet kryesore

     

    Edhe pse janë bërë disa përmirësime, ekzistojnë probleme të mprehta të cilat janë parësore për të krijuar kushtet e duhura për zbatimin me rigorozitet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke siguruar që të gjitha organet e zbatimit të ligjit të sigurojnë një trajtim njerëzor të personave të paraburgosur e të dënuar dhe shndërrimin e sistemit penitenciar në një mundësi riedukimi.

     

    Një ndër problemet kryesore të sistemit penitenciar në Shqipëri mbetet mbipopullimi në burgjeve. Kjo gjë përbën rrënjën e shumë problemeve të tjera në lidhje me trajtimin e të dënuarve dhe evitimin e situatave degraduese.

     

    Me miratimin e Shërbimit të Provës, është zbutur ky problem. Gjithashtu, parashikimi për ndërtimin e institucioneve të reja penale gjatë vitit 2009, do të zgjidhë përfundimisht këtë problem.

     

    Problem shqetësues është dhe vendosja në autosufiçensë të plotë të vet burgjeve duke i krijuar mundësinë që të hapin reparte punësh, ku mund të përballojnë nevojat më të domosdoshme si krevate, komodina, orendi e shumë të tjera. Hapja e ofiçinës së Vaqarrit është një shembull i cili ka lehtësuar buxhetin e shtetit dhe është bërë i mundur punësimi i disa të burgosurve.

     

    Shumica e institucioneve penitenciare në Shqipëri kanë një infrastrukturë mjaft të dobët. Edhe pse ka përmirësime në këtë fushë, mbetet një problem që kërkon ndërhyrje dhe zgjidhje të menjëhershme.

     

    Një nevojë e sistemit penitenciar në Shqipëri është dhe trajnimi i stafit të nëpunësve të burgjeve. Ky element është mjaft i rëndësishëm pasi zhvillon aftësitë profesionale të stafit dhe rrit cilësinë e punës dhe shërbimit ndaj njerëzve.

     

     

     

    Prioritetet

     

    1.         Përmirësimi i kushteve të jetesës së të burgosurve dhe paraburgosurve si dhe krijimi i kushteve në të cilat të burgosurit trajtohen në mënyrë humane, ligjore dhe jodiskriminuese.

     

    Aktivitetet
    1.1 Zbatimi i normës së re ushqimore në të gjitha burgjet dhe paraburgimet. (2008)
    1.2 Përmirësimi i kushteve dhe standardeve nëpërmjet ndërtimeve të reja e rikonstruksioneve. (2008)
    1.3 Realizimi i sistemeve të ngrohjes qendrore në ato burgje ku mungojnë. (2011)
    1.4 Aspirimi i përqendruar i ambienteve të brendshme. (2011)
    1.5 Sigurimi i burimeve të dyta të furnizimit me energji elektrike dhe ujë. (2010)

     

    2.         Ulja e mbipopullimit në sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve.

     

    Aktivitetet
    2.1 Hartimi i një studimi për shpërndarjen e të burgosurve në burgjet e reja sipas parimit rajonal. (2008)
    2.2 Hartimi i projekteve për ndërtimin e burgjeve të reja.(2009)
    2.3 Gjetja e investitorëve për të financuar burgjet e reja.(2008)
    2.4 Ngritja e burgjeve dhe qendrave të reja të paraburgimit (2013)

     

    3.         Përmirësimi i sigurisë në burgje dhe qendra të paraburgimit 

     

    Aktivitetet
    3.1 Rritja e sigurisë në sistemin e burgjeve dhe paraburgimeve nëpërmjet sistemit të kamerizimit, ndërlidhjes dhe kontrollit. (2010)
    3.2 Realizimi i një stacioni qendror radiondërlidhjeje në DPB. (2013)
    3.3 Unifikimi i sistemit të antenave. (2008)
    3.4 Ripunimi i skemave të sigurisë për të gjitha burgjet e paraburgimet në bazë të organikave të reja. (2011)
    3.5 Riorganizmi i strukturave të policisë dhe mënyrës së shërbimit. (2013)
    3.6 Realizimi i ruajtjes e sigurimit nëpërmjet sistemit elektronik në të gjithë burgjet. (2012)
    3.7 Zëvendësimi i një pjesë të armatimeve të policisë sipas standardeve Evropiane. (2013)

     

    4.         Zhvillimi i rehabilitimit social dhe veprimtarive prodhuese për të burgosurit. 

    Aktivitetet
    4.1 Hartimi i politikave të punësimit, të burgosurve dhe paraburgosurve (2008)
    4.2 Krijimi i bazës së mjaftueshme ligjore për punën e të burgosurve dhe të paraburgosurve sidomos në rastet kur periudha e paraburgimit zgjat për një kohë të gjatë. (2008)
    4.3 Rishikimi i draftit të punës për të burgosurit dhe përfshirjen në këtë draft edhe punën e të paraburgosurve.(2008)
    4.4 Krijimi i politikave sociale për riedukimin dhe rehabilitimin e të burgosurve. (2008-2009)
    4.5 Shtrirja e procesit mësimor në të gjitha institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale. (2008-2009)
    4.6 Edukimi i të burgosurve nëpërmjet organizmit të kurseve të ndryshme profesionale.(2009)
    4.7 Hartimi i programeve për krijimin e mundësive të shumëllojshme për kalimin e kohës së lirë. (2008-2009)
    4.8 Bashkëpunimi me organizata të cilat operojnë në këtë fushë. (2008-2013)
    4.9 Trajtim i veçantë për të miturit dhe ndarja e tyre nga të burgosurit e rritur. (2008)

     

    5.         Zhvillimi profesional i stafit  

     

    Aktivitetet
    5.1 Monitorimi i burimeve njerëzore dhe rritja e kualifikimit të stafit policor dhe civil nëpërmjet organizimit të trajnimit dhe kombinimit të teorisë me praktikën. (2013)
    5.2 Adaptimi i planit të nevojave të personelit sipas ndryshimeve organizative dhe planit të ndërtimeve. (2011)
    5.3 Përmirësimi i sistemit të trajnimit të punonjësve të burgjeve si dhe krijimi i një Plani Veprimi për një Qendër të Re Trajnimi. (2009)
    5.4 Krijimi i kushteve buxhetore për mbulimin financiar të stafit që para se të vihet në shërbim një institucion shërbimi. (2013)
    5.5 Përpilimi i një plani preciz të strukturës së personelit mbi bazën e llogaritjeve të raporteve personel/të burgosur. (2009)

     

    6.         Zhvillimi i rregullimeve organizative të sistemit të burgjeve

     

    Aktivitetet
    6.1 Monitorimi i burimeve financiare nëpërmjet auditimeve të kryera. (2008)
    6.2 Hartimi i programeve për kryerjen e auditeve në subjektet e programuara sipas frekuencës së miratuar në manualin e auditit. (2012)
    6.3 Kryerja e auditeve tematike lidhur me efektivitetin e kryerjes së shpenzimeve për blerje mallrash me të tretë si dhe për kryerjen e investimeve. (2008)
    6.4 Trajnimi i stafit të auditit. (2009)
    6.5 Mirëmbajtja dhe përmirësimi i të dhënave me njësi qendrore në DPB për të dënuarit dhe të paraburgosurit.(2009)
    6.6 Programi i ri i kartelave(2008-2009)
    6.7 Ndjekja me rigorozitet të projekteve dhe zbatimit të investimeve me financim të BE-së dhe donatorëve të tjerë. (2008-2009)
    6.8 Hartimi i një plani masash lidhur me verifikim paraprak të saktësisë së projekteve. (2009)
    6.9 Identifikimi i rreziqeve që kanë të bëjnë me përgatitjen e personelit që do merren me zbatimin dhe ndjekjen e projektit. (2009)
    6.10 Planifikimi në kohë i fondeve për TVSH dhe Taksë Doganore në mbështetje të këtyre projekteve. (2009)
    6.11 Rakordimi i punëve për këto probleme me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave. (2009)

     

    7.         Zhvillimi i legjislacionit për sistemin e burgjeve.
    Aktivitetet
    7.1 Hartimi i projektligjit të ri për sistemin penitenciar në Shqipëri. (2013)
    7.2 Hartimi i ligjit të ri për policinë e burgjeve. (2008)
    7.3 Hartimi i rregullores së re të disiplinës dhe kodin e etikës për policinë e burgjeve. (2008-2009)
    7.4 Hartimi i rregullores së re së disiplinës dhe kodin e etikës për stafin civil. (2012)

     

    Treguesit

     
    1. Një sistem penitenciar efiçent i cili i afrohet standardeve të Bashkimit Evropian për trajtimin e të dënuarve.
    2. Reduktimi i grevave dhe protestave të cilat kanë si bazë kushtet e të dënuarve.
    3. Respektimi i rregullave të institucionit nga personat me liri të kufizuar.
    4. Ndërtimi i burgjeve dhe paraburgimeve të reja.
    5. Zgjidhja e konflikteve të cilat rrjedhin prej mbipopullimit.
    6. Kushte më të mira higjeno-sanitare
    7. Bazë e mjaftueshme ligjore ku përcaktohen qartësisht të drejtat e personave me liri të kufizuar.
    8. Rregulla të qarta të cilat përcaktojnë mbarëvajtjen e Institucioneve Penitenciare.
    9. Plane konkrete të hartuara dhe të miratuara.
    10. Raportimi i aktiviteteve mujore.
    11. Rritja e investimeve dhe përfundimi i tyre brenda afateve kohore.
    12. Krijimi i një sistemi efektiv menaxhues dhe monitorues në burgje.
    13. Kualifikimi i stafit të punonjësve civil dhe me uniformë.
    14. Adoptimi i Kodit të Etikës në Institucionet Penitenciare.
     

     

     

    Burimet  

     

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale do të jenë aktorët kryesorë që do të kontribuojnë në realizimin e kësaj strategjie.

     

    Burimet kryesore për realizmin e kësaj strategjie përfshijnë:

     
    • Burimet Njerëzore
    • Burimet Financiare
    • Burimet Materiale
     

     

     

    Raportimi

     

    Progresi i Strategjisë do të diskutohet çdo ditë në mbledhjet e Drejtorit të Përgjithshëm me drejtuesit e drejtorive përgjegjëse për zbatim. Gjatë këtyre mbledhjeve do të diskutohet mbi mbarëvajtjen e punës, problemet që hasen dhe hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e tyre.

     

    Të gjitha drejtoritë përkatëse dhe institucionet vartëse do të raportojnë çdo muaj pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për implementimin e strategjisë.

     

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të bëjë përmbledhjen e materialeve dhe do të përgatisë raporte për Ministrinë e Drejtësisë një herë në muaj.

     

     

     

    Monitorimi

     

    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të jetë një ndër aktorët kryesorë i cili do të bëjë monitorimin e implementimit të strategjisë.

    Monitorimi do të bëhet në bazë të prioriteteve të caktuara, aktiviteteve dhe zbatimit të afateve kohore. Të gjitha drejtoritë dhe institucionet vartëse do të raportojnë pranë DPB-ve, ku do të rendisin arritjet dhe vështirësitë. Duke u bazuar në këto raporte, takimet direkte në fushë dhe inspektimet e herëpashershme, mendohet të arrihet një monitorim objektiv për realizimin e prioriteteve të caktuara në strategji.


    Foto Galeria

    Kerko te denuarit politik